Kushtet e Putinit për t’i dhënë fund luftës

Presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të ndjekë një zgjidhje paqësore me Ukrainën, por vetëm nëse plotësohen disa kushte të rrepta, raporton Reuters.
Putini thuhet se këmbëngul në garanci të qarta nga fuqitë kryesore perëndimore, duke kërkuar që të përjashtohet zyrtarisht mundësia e anëtarësimit në NATO për Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe republikat e tjera ish-sovjetike.
Sipas burime për Reuters, kërkesat kryesore të Moskës përfshijnë:
Neutralitetin e Ukrainës, jashtë çdo blloku ushtarak;
Heqjen e sanksioneve të vendosura kundër Rusisë;
Zgjidhjen e çështjes së aseteve ruse të ngrira në Perëndim;
Garanci institucionale për mbrojtjen e rusishtfolësve në Ukrainë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur disa herë dëshirën për të ndërmjetësuar dhe për të përfunduar luftën, por së fundmi ai është shprehur i irrituar nga refuzimi i Putinit për të hyrë në bisedime të drejtpërdrejta.
Të martën, Trump paralajmëroi se “Putini po luan me zjarrin”, duke iu referuar intensifikimit të sulmeve ruse në Ukrainën lindore.
Të dy liderët kanë zhvilluar një bisedë telefonike që ka zgjatur mbi dy orë. Putini thuhet se ka rënë dakord të punojë mbi një draft marrëveshjeje paqeje me Ukrainën, e cila do të përfshijë një kornizë të përgjithshme dhe një afat për armëpushim.
Megjithatë, sipas burimeve ruse, Moska ende po harton versionin e saj të dokumentit dhe nuk ka një afat të qartë për përfundimin e tij.
Ukraina dhe disa qeveri evropiane akuzojnë Rusinë se po zvarrit qëllimisht negociatat, në mënyrë që të fitojë më shumë territor në fushën e betejës. Një zyrtar rus ka deklaruar: “Putini është i gatshëm për paqe, por jo me çdo çmim. Nëse nuk i pranojnë kushtet e tij, ai do të tregojë me fitore ushtarake se paqja nesër do të jetë edhe më e dhimbshme.”
Kremlini nuk ka komentuar mbi kërkesën e Reuters për reagim. Po ashtu, as burime zyrtare ukrainase nuk kanë dhënë ndonjë koment.
Nga ana tjetër, NATO mbetet e palëkundur në politikën e saj të “dyerve të hapura”, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim për shkak të kërkesave të Moskës.