Kush e shpëtoi Jahoskin nga apraburgimi? Deklarata të ndryshme nga gjykata dhe prokuroria

A ishte ndikimi i babait të tij, deputetit Ismail Jahoski nga BDI, afrimiteti i prokurorit për ndjekjen e krimit të organizuar, Islam Abazi, me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, apo diçka tjetër që e shpëtoi pronarin e “Pucko Petrol”, Asmir Jahoski, nga paraburgimi?
Gjykata dhe Prokuroria po ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës për atë se pse Jahoski, ndryshe nga të dyshuarit e tjerë për tenderët e mazutit për TEC Negotinë, për të cilët prokuroria kërkoi paraburgim, përfundoi në arrest shtëpiak në vend të burgut të Shutkës.
Prokuroria njoftoi dje se kishte kërkuar paraburgim për Asmir Jahoskin, por gjykata i caktoi arrest shtëpiak. Mbrëmë, gjykata informoi se prokurori publik ishte pajtuar për ndryshimin e kërkesës për masën e paraburgimit, duke propozuar arrest shtëpiak, gjë që u pranua nga gjykatësi i procedurës paraprake. Ndërkohë, sot prokuroria këmbëngul se ka kërkuar paraburgim, por gjykata nuk e ka pranuar.
“Gjykatësi i procedurës paraprake, duke mos pranuar propozimin e prokurorisë, vendosi t’i shqiptojë të dyshuarit masën e arrestit shtëpiak dhe vlerësoi gjithashtu se janë përmbushur kushtet për t’i caktuar masën e kujdesit – konfiskimin e pasaportës dhe ndalimin e lëshimit të një pasaporte të re”, njoftoi sot Prokuroria.
Kryeministri Hristijan Mickoski, pa e përmendur me emër, aludoi sot se rol në këtë rast ka pasur pikërisht kreu i Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Islam Abazi.
“Për mua janë alarmante informacionet që po marr, të cilat lidhen me sjelljen e kreut të një prokurorie kur dëgjoi për aksionin e ndërmarrë nga MPB dhe BJB dy ditë më parë. Jam vërtet i shokuar nga mënyra se si është sjellë ai njeri dhe si vazhdon të sillet. Nuk kanë vend atje. Nëse duan të jenë argëtues oborrtarë partiakë, atëherë vendi i tyre nuk është në Prokurori, por në ato vila të mëdha të ndërtuara në Perëndim të Maqedonisë. Por, nëse duan vërtet të zbatojnë drejtësinë, atëherë duhet të ndryshojnë sjelljen e tyre. Por, ajo që dëgjova për mënyrën si është sjellë ai njeri, besoj se shumë shpejt nga sot do të pendohet, por atëherë kam frikë se do të jetë tepër vonë”, deklaroi Mickoski.
Islam Abazi u zgjodh shef i Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në vitin 2022. Dyshimet për afrimin e tij me drejtuesit e BDI-së u forcuan nga fotografitë e Abazit me bashkëfshatarin e tij, Ali Ahmeti nga Zajazi, si dhe me zyrtarë të tjerë të BDI-së.
Prokuroria njoftoi dje se do të kërkonte paraburgim për pesë të dyshuar për blerjet e diskutueshme të mazutit për TEC Negotinë, ndër të cilët ish-drejtori i ESM-së, Vasko Kovacevski, është në arrati.
Nga katër të tjerët, tre përfunduan në Shutkë – pronarët e “RKM”, Ratko Kapushevski dhe Erdjan Sulkoski, si dhe ish-drejtori i sektorit në ESM, Ardijan Muca. Ndërsa Asmir Jahoski, djali i deputetit Ismail Jahoski nga BDI, u dërgua në arrest shtëpiak.
Hetimi për tenderët e blerjes së mazutit për TEC Negotinë nga viti 2021 deri në 2023, me vlerë 167 milionë euro, u hap kundër 13 personave dhe një kompanie.