Kurti: S’ka Asociacion, pa e njohur Serbia rendin kushtetues të Kosovës

Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi për zbatimin e saj duhet ta kenë pikënisje tërësinë, e jo vetëm pjesë të saj, ka thënë kryeministri Albin Kurti. Sa i përket obligimit të Kosovës për themelimin e Asociacionit, Kurti ka shtuar se ai duhet të iniciohet nga komunat dhe sipas Kushtetutës së Kosovës. Por, në Bashkimin Evropian, ua kanë rikujtuar Kosovës dhe Serbisë se përmbushja e obligimeve është thelbësore për rrugën drejt integrimit në BE
Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi për zbatimin e saj duhet ta kenë pikënisje tërësinë, e jo vetëm pjesë të saj, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Tek ka folur për obligimet që i përshkruhen Kosovës, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shefi i ekzekutivit ka thënë për televizionin “Alsat” nga Maqedonia e Veriut se pikënisja duhet të jetë tërësia e Marrëveshjes.

“Nuk është marrëveshja bazike një tryezë suedeze ku mund ta marrësh gjellën tënde të preferuar dhe t’i hedhësh të tjerat. Gjashtë fjali në preambulë, 11 nene në marrëveshje, plus aneksi i zbatimit nga Ohri i marsit të vitit të kaluar me 12 pika, pra duhet ta kemi pikënisje tërësinë, jo ndonjë pjesë duke mohuar tërësinë. Unë e kam diskutuar edhe në Bruksel këtë”, ka thënë Kurti.

Për Asociacionin, Kurti ka shtuar se u takon komunave të themelojnë atë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Nuk mund të ofrojë unë kafe pa filxhan, cili është burimi legal juridik i Asociacionit, a është Kushtetuta e Kosovës, apo diçka tjetër, Beogradi thotë nuk e pranoj Kushtetutën e Kosovës, atëherë pse jemi duke diskutuar. Nuk mund të thuash unë kam marrë sa kam marrë, dua të marr edhe më shumë, por ti nuk ekziston. Ata duhet ta pranojnë Kosovën, çkado që kërkojnë për serbët në Kosovë duhet ta kërkojnë përbrenda rendit juridik dhe Kushtetutës të Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.

“Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës, dhe si kryetar i partisë politike më të madhe në vend e Kuvend, i lëvizjes më të jashtëzakonshme që kanë shqiptarët në shekullin e 21-të, mund të bëj asociacion të argumenteve në diskurs, ose asociacion të projekteve në program, por nuk mund të bëj asociacion të komunave në republikë, i takon komunave ta bëjnë asociacionin”.

E në BE e kanë përsëritur se përparimi në dialog është thelbësor për rrugët përkatëse evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi Peter Stano ka thënë për “Kohën” se palët kanë marrë përsipër zbatimin e marrëveshjeve tek ka shtuar se po punohet në planin e sekuencimit.

“Progresi në dialog është thelbësor për rrugët respektive evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Kjo përfshin përmbushjen e të gjitha detyrimeve të tyre në kuadër të dialogut, duke përfshirë zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”, ka thënë Stano. “Siç e kemi thënë shumë herë më parë, nga të dyja palët pritet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut pa ndonjë vonesë apo parakushte, sipas mënyrës, hap pas hapi. Diskutimet për finalizimin e planit të sekuencimit janë duke vazhduar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel, e një muaj më vonë në Ohër edhe për Aneksin e zbatimit të saj. Por asnjëra prej pikave të Marrëveshjes nuk ka nisur së zbatuari.

Marrëveshja 11-pikëshe, mes tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore e që Serbia të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Po ashtu Prishtinës dhe Beogradit u kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Por BE-ja në disa raste është paralajmëruar nga Serbia se nuk do t’i zbatojë ato pika të marrëveshjes, të cilat ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës, siç është anëtarësimi në OKB.

Kur ishte pyetur në Prishtinë për letrën e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, ku shkruante se Serbia nuk i zbaton ato pika që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, pati deklaruar se ai dokument është tërhequr.

24 tetori është takimi i fundit kur është diskutuar për Marrëveshjen mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

Derisa Lajçaku ishte shprehur se në këtë takim ka pasur përparim në disa pika, kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi e pati cilësuar të dështuar takimin.

Sipas tij, nuk ka pasur rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve me Serbinë dhe se Serbia nuk ka hyrë fare në diskutimin për planin e sekuencimit të marrëveshjeve bazë.

Bislimi ka akuzuar Serbinë se po insiston në implementim të pjesshëm të marrëveshjeve, duke e cilësuar këtë qëndrim si joserioz.

Pas tensioneve që patën shpërthyer në veri të vendit, majin e vitit të kaluar diskutimet për Marrëveshjen mbetën nën hije, derisa BE-ja u mor me menaxhimin e situatës së sigurisë.

Kryeministri Albin Kurti ka folur edhe për situatën e sigurisë në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit. Sipas tij, Beogradi është gjithnjë më agresiv.

“Shteti demokratik i Kosovës është instanca e parë dhe e fundit, dhe më e fuqishmja, ku asnjë individ, grup kriminal a strukturë paralele nuk mund të rivalizojë. Kjo e ka bërë shumë nervoz Beogradin dhe nga nervoza është gjithnjë e më agresiv”, ka thënë Kurti.

Për shkak të vendimeve rreth veriut, BE-ja vazhdon ta mbajë nën sanksione Kosovën, të cilat nuk u hoqën me gjithë insistimin e Qeverisë se janë ndërmarrë të gjithë hapat për shtensionimin e situatës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button