Kurti: Pikat e përbashkëta kufitare janë më shumë se infrastrukturë kufitare

Krijimi i pikave të përbashkëta kufitare Hani i Elezit – Bllacë dhe Jazhincë – Glloboçicë, janë më shumë se infrastrukturë kufitare, vlerëson kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili shtoi se këto janë pika të reja shërbimi e bashkëpunimi që lidhin edhe më shumë dy shtetet dhe forcojnë edhe më tej fqinjësinë e mirë.
“Tani e tutje qytetarët do të kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës, ndërkaq të dhënat do të shkëmbehen në kohë reale përmes sistemit të përbashkët teknologjik. Vetëm në vitin 2024 mbi 5 milionë qytetarë kaluan në tre pikat kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Kjo shifër dëshmon për lidhjet mes njerëzve tanë por edhe për nevojën për lëvizje të lirë e të shpejtë si të qytetarëve ashtu dhe të mallrave. Na gëzon fati që tani e tutje policët tanë do të punojnë krah për krah në të njejtat hapësira”, deklaroi Kurti.
Ai u shpreh se pret që kjo nismë të shoqërohet me përfundimin e autostradë Shkup-Bllacë dhe të tunelit në aksin Tetovë-Prizren.