Kurti në Turqi: Izmiri, nuk është aspak i huaj për shqiptarët

“Izmiri, nuk është aspak i huaj për shqiptarët”, ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga Izmiri i Turqisë ku ka takuar diasporën shqiptare dhe zyrtarët e qytetit.

“Aty gjetën strehë shumë shqiptarë e ballkanas të dëbuar nga dhuna dhe terrori i Serbisë, që pastaj ndërtuan denjësisht jetët e tyre, por nuk e harruan origjinën. Qyteti i tretë më i madh në Republikën e Turqisë të mban ngrohtë në natyrën e vetë po aq të hapur e mirëpritëse. Ashtu ishin dhe takimet me Guvernatorin e Izmirit, Dr. Süleyman Elban, Kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, dhe Kryetaren e Komunës së Foçës në provincën e Izmirit, Saniye Bora Fıçı, e cila është Kryetarja e parë grua e kësaj komune dhe ka prejardhje shqiptare. Pjesë e diskutimit në secilin prej bashkëbisedimeve ishin mundësitë që i kemi e që mund t’i hulumtojmë më tej për më shumë lidhje dhe bashkëpunim ekonomik, kulturor e arsimor”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai shton se kanë hasur në mikpritje të përzemërt edhe nga mërgata shqiptare që është e shumtë dhe shumë e suksesshme, studentë që po i ndjekin studimet në Turqi, dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare nga Izmiri, Bursa, Manisa e Stambolli.

“Ata luajnë një rol kyç për ruajtjen e raporteve të mira dhe krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, për çka ne u jemi mirënjohës”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka shtuar se gjithashtu shqiptarët në Turqi mund të luajnë rol të rëndësishëm edhe për zhvillimin e mëtejmë të Kosovës, andaj i ka ftuar që të investojnë në Kosovë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button