Kurti: Në këtë 18-vjetor të Pavarësisë, mesazhi ynë është i qartë, Kosova është e lirë dhe do të jetë!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ka përcjellë një mesazh për forcimin e shtetit dhe vazhdimin e rrugës euro-atlantike, duke theksuar se Republika e Kosovës është më e fortë dhe më e sigurt se kurrë më parë.
“Në këtë 18-vjetor të Pavarësisë, mesazhi ynë është i qartë: Kosova është e lirë dhe do të jetë! Kosova është demokratike dhe do të jetë! Kosova është sovrane dhe do të jetë!”, deklaroi Kurti gjatë fjalimit të tij në parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njësive të Policisë së Kosovës.
Ai theksoi se shtetësia e Kosovës është rezultat i një rruge të gjatë historike, duke përmendur rezistencën paqësore, luftën çlirimtare dhe ndërhyrjen ndërkombëtare. “Liria e Kosovës është ngjizur shumë më herët, me përpjekjen e pareshtur ndër breza, me qëndresë të padhunshme dhe me luftën e drejtë të UÇK-së”, u shpreh ai.
Kurti nderoi dëshmorët dhe veteranët e luftës, duke theksuar se ata janë “themelet e Republikës”, ndërsa kritikoi proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, për të cilat tha se janë “procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare”.
Duke folur për zhvillimet në sektorin e sigurisë, kryeministri theksoi investimet e fundit në ushtri dhe polici, duke përfshirë rritjen e shpenzimeve për mbrojtje, dyfishimin e numrit të pjesëtarëve të FSK-së dhe investime mbi 450 milionë euro në armatim modern dhe infrastrukturë ushtarake. “Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet si një ushtri profesionale dhe e ndërveprueshme me aleatët tanë”, tha ai.
Sipas tij, Policia e Kosovës mbetet një nga institucionet më të besueshme në vend, ndërsa parada e organizuar për përvjetorin nuk ishte demonstrim force ndaj askujt, por “dëshmi e modernizimit dhe pjekurisë së shtetit tonë”.
Kurti theksoi se orientimi euro-atlantik i Kosovës është i palëkundur dhe se vendi do të vazhdojë investimet në siguri dhe zhvillim. “Liria ka kuptim vetëm kur shoqërohet me drejtësi dhe dinjitet”, u shpreh ai.
Në fund të fjalimit, kryeministri përsëriti thirrjet simbolike: “Lavdi dëshmorëve të kombit! Nderim luftëtarëve të lirisë! Rroftë Forca e Sigurisë së Kosovës! Rroftë Policia e Kosovës! Rroftë Kosova Republikë!”



