Kurti kujton grevën e minatorëve të Trepçës: E kaluara dhe historia jonë janë themeli i Republikës së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 37-vjetorin e grevës së minatorëve të Trepçës, duke e cilësuar atë si një ndër aktet më të rëndësishme të rezistencës politike në historinë moderne të vendit.

“Në nderim të kontributit të dhënë ndër gjenerata për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, sot, 37 vite më pas, le ta kujtojmë grevën e minatorëve të Trepçës, me thirrjen ‘Kosova Republikë’”, ka shkruar Kurti.

Ai rikujtoi se më 20 shkurt 1989, rreth orës 13:00, minatorët e ndërrimit të katërt në Stantërg refuzuan të dilnin nga miniera, duke hyrë në grevë urie, ndërsa atyre iu bashkuan edhe minatorët e tre ndërrimeve të tjera, duke arritur në rreth 1300 grevistë.

“Të shqetësuar për fatin politik të shqiptarëve në Jugosllavi dhe për cenimin e statusit të Kosovës si krahinë autonome dhe element konstituiv në kuadër të asaj federate, minatorët ishin në grevë nga 20 deri më 28 shkurt, duke këmbëngulur në 10 kërkesa të tyre, që shkonin deri tek ajo që çështja e shqiptarëve në Jugosllavi të shqyrtohej edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, theksoi ai.

Kurti rikujtoi se kjo nuk ishte hera e parë që minatorët organizoheshin me kërkesa politike. Ai përmendi marshimin e 17 nëntorit 1988 nga Stantërgu deri në Prishtinë, si dhe parullat “Kosova Republikë” dhe “Trepça është e jona”, të shkruara në vitin 1983 nga minatorët Xhavit Bajraktari dhe Shyqri Miftari.

Sipas tij, Komiteti Krahinor i Kosovës nuk iu përgjigj kërkesave të minatorëve, ndërsa më 1 mars 1989 miniera u mbyll dhe 15 minatorë u arrestuan e u dënuan me nga 14 muaj burgim.

“Tre javë më pas, më 23 mars 1989, Serbia ia suprimoi autonominë Kosovës, duke i hapur rrugë instalimit të apart’heidit në Kosovë”, ka theksuar Kurti.

Ai vlerësoi se, ndonëse kërkesat e minatorëve nuk u realizuan, greva në Stantërg ishte “akti i parë i gjerë rezistues që hapi epokën e shkatërrimit të Jugosllavisë të udhëhequr nga Serbia e Millosheviqit”, periudhë që kulmoi me çlirimin e Kosovës në qershor 1999.

“I kujtojmë çdo ditë, të gjithë brezat, sepse e kaluara dhe historia jonë janë themeli i shtëpisë sonë politike: Republikës së Kosovës”, përfundoi kryeministri Kurti.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button