Kurti: Kosova ka përjetuar periudhë të errët, krimet e luftës nuk mund të mbeten në heshtje

“Për të siguruar paqe të qëndrueshme në Ballkan duhet të krijojmë një bazë të fortë të së vërtetës historike të dokumentuar me metodologji profesionale dhe të pranuar ndërkombëtarisht”.
Kështu u tha në konferencën e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e cila synon të rrisë vetëdijen globale për pasojat e luftës në Kosovë dhe domosdoshmërinë për drejtësinë për viktima.
Kjo konferencë e cila u zhvillua po ashtu në kuadër të Ditës së pavarësisë së Kosovës, ka për qëllim të dokumentojë të gjitha krimet e ndodhura gjatë luftës në Kosovë.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se shteti i Kosovës mbetet i palëkundur për të zbardhur të vërtetën, për të ruajtur kujtesën kolektive, dhe për të garantuar që drejtësia do të vihet në vend.
“Kosova ka përjetuar një periudhë të errët, me dhunë, me krime të rënda të luftës, dhe krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat e ndryshme të armatosura të shtetit të njëjtë, Serbisë. Populli ynë i ka mbijetuar gjenocidit, spastrimit etnik, dhe shkatërrimeve masive. Me mijëra të vrarë, të zhdukur e të dëbuar, me viktima e të mbijetuar të dhunës seksuale, me dënime të pamatshme materiale e shpirtërore, pasojat e luftës ndjehen ende. Familjarët e viktimave e dinë dhembjen më mirë se kushdo, çdo ditë jetojnë me kujtimet që dhembin, me mungesën që nuk mbushet. Krimet nuk mund të mbesin në heshtje e as të mbulohen me harresë. Andaj, po vazhdojmë të flasim, të shkruajmë dhe të dëshmojmë, derisa çdo krim të dokumentohet, e ndëshkohet, derisa çdo viktimë të ketë drejtësi. Shteti i Kosovës mbetet i palëkundur për të zbardhur të vërtetën, për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të garantuar që drejtësia do të vihet në vend”, tha Kurti.



