Kurti: Kosova e gatshme të kontribuojë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën
Ai gjithashtu e lidhi qëndrimin e Kosovës ndaj kësaj iniciative me përvojën e vendit nga periudha e pasluftës, duke kujtuar rolin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur gatishmërinë e vendit të tij për të kontribuar në iniciativën për krijimin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, duke theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) disponon kapacitete të vlerësuara ndërkombëtarisht në fushën e kërkim-shpëtimit dhe deminimit, raporton Anadolu.
Duke folur për zhvillimet lidhur me këtë iniciativë, Kurti bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, kanë kërkuar leje për pjesëmarrje në konferencën në Doha të Katarit, ku është diskutuar për misionin ndërkombëtar në Gaza.
Kurti theksoi se institucionet e Kosovës kanë mbështetur parimisht përfshirjen në një mision të tillë, duke përmendur edhe ndarjen e mjeteve financiare.
“Siç e dini, ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro për atje dhe FSK-ja. Për shkak të aftësive të shquara ndërkombëtarisht sa i përket kërkim-shpëtimit dhe de-minimit dhe jo vetëm, kemi qenë të gatshëm që të marrin pjesë në këtë forcë stabilizuese ndërkombëtare dhe ta ndihmojmë popullin e Gazës, për shkak se ne kemi qenë përfitues të forcave ndërkombtare në vitin 1999 sidomos, por edhe më pas”, deklaroi Kurti.
Ai gjithashtu e lidhi qëndrimin e Kosovës ndaj kësaj iniciative me përvojën e vendit nga periudha e pasluftës, duke kujtuar rolin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë.
“Tash dëshirojmë që edhe ne të kontribuojmë”, theksoi ai.
Kryeministri tha se një forcë stabilizuese për Gazën pritet të ketë jo vetëm komponent ushtarak, por edhe dimension politik dhe ndërkombëtar, duke bërë krahasime me modelet e administrimit ndërkombëtar të KFOR-it dhe UNMIK-ut në Kosovë.
“Një mision i tillë do të ketë edhe strukturë politike. Kur një shtet dërgon trupa, synon të jetë pjesë edhe e proceseve të vendimmarrjes,” deklaroi Kurti, duke shtuar se aspektet konkrete trajtohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes.
Iniciativa për krijimin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën vazhdon të diskutohet në qarqet diplomatike, ndërsa detajet mbi mandatin dhe përbërjen e saj mbeten ende të paqarta.


