Kurti kërkon Gjykatë Speciale ndërkombëtare për “Sarajevo Safari”, përmend edhe Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar themelimin e një gjykate speciale ndërkombëtare për të hetuar dhe gjykuar vrasjen e civilëve boshnjakë me snajper gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet ’90, të njohur si rasti “Sarajevo Safari”.
Duke folur mbrëmë në konferencën e dytë shkencore ndërkombëtare të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Kurti tha se e ashtuquajtura “shtëpi e verdhë” në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarët e UÇK-së, por është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë. Ky rast, siç tha Kurti, është iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev më 15 prill 2008, as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Shtëpi të verdhë nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione dhe fakte se ka pasur ‘Sarajevo Safari’, ku rol thuhet të ketë pasur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjakë civilë me snajper në qytetin e rrethuar në fillim të viteve ’90. Për të hetuar dhe gjykuar krimet e ‘Sarajevo Safari’ do të duhej të angazhohej një gjykatë speciale ndërkombëtare”, tha ai.
Kurti foli edhe për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se lufta e tyre ishte e drejtë dhe një domosdoshmëri për liri dhe mbijetesë.
Rrethimi i Sarajevës (1992–1996), gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, konsiderohet një nga rrethimet më të gjata dhe më të përgjakshme në historinë moderne të Evropës. Gjatë kësaj periudhe, mijëra civilë u vranë si pasojë e granatimeve dhe sulmeve me snajper.



