Kur pushteti i Enverit ndalonte edhe dashurinë pa hile

Shkruan: Iljasa Salihu

Regjimi i egër dhe gjakatar komunist, ishte futur thellë edhe në jetën private të njerëzve, ku djali i pushtetarit mund ta merrte cilëndo vajzë për grua, kuptohet nëse ishte e pajtimit partia, madje më e rëndësishme ishte të pajtohej partia, sesa familja e vajzës. Në romanin, “Dashuri apo urrejtje”, autorja Brunilda Zllami në një mënyrë të arrirë artistike dhe gjuhësore, rrëfen dhe shtjellon ngjarjen e një gruaje e cila kishte guxuar ta refuzojë për burrë djalin e një ministri në kohën e regjimit enverist, njëherësh kunatin e shoqës së saj të ngushtë. Ajo kishte dashur një tjetër djalë, që nuk ishte pjesë e piramidës së asnjë pushteti, thjesht ishte njeri me njerëzi dhe me sjellje të mirë. Familja e ministrit dhe kunata e këtij djali, njëherësh shoqja e saj e ngushtë, ishin ndier tepër të nënçmuar dhe të nënvlerësuar, ngaqë pikërisht në kohën e fuqisë së këtij regjimi, del një vajzë dhe dashuron atë për të cilin i rreh zemra si një frymëmarrje foshnjesh. Përkundër shumë kundërshtive dhe përpjekjeve për t’i penguar ata të papenduar për lidhjen e tyre, vajza martohet me atë që e deshi. Jeta u ecën si është më së miri, karriera e saj vetëm sa shkon e pasurohet, madje ky çift bekohet edhe me një djalë. Mirëpo, regjimi që e kishte bërë shkret vendin, nuk flinte kur qe puna për kësi lloj rastesh dhe prekjesh në sedër të atyre që pushtetin e përdornin si mekanizëm shtypës të njerëzve. Pas disa akuzave të sajuara dhe të ndihmuara nga shoqja e saj e ngushtë, atë e dënojnë me 10 vjet heqje lirie dhe e plandosin në një birucë të tmerrshme, ku gjithçka në çast përmbyset. Atë e ndajnë nga djali 3 vjeçar, kurse burrin e saj nga puna si intelektual e angazhojnë në një punë të rëndë ndërtimore dhe kushdo që guxonte t’i jepte përkrahje kësaj familjeje nuk i shpëtonte syrgjynosjes. E bukura e këtij romani është se kemi kalim nga një ngjarje në ngjarje tjetër, por që lehtë mund të përkapet rrjedha e ngjarjeve. Pikërisht në ditën e daljes nga burgu, kësaj i vdes burri, sa prej dëshpërimit shpirtëror, aq edhe prej punëve të rënda trupore. Të këqijat nuk i shqiten, por kjo për hir të djalit vendos të jetojë. Djali i rritet dhe me kalimin e kohës bie në dashuri, dashuri kjo që në vete ngërthen edhe urrejtjen. Ky dashurohet në vajzën e shoqës së saj të ngushtë, pikërisht në vajzën e asaj që së bashku me kunatin, kishin keqpërdorur pushtetin për t’ia shkatërruar jetën, mbase kjo flet edhe për rrezikun që ngërthen dashuria dhe lidhja pa u njohur fillimisht me të dashuruaren, apo të dashuruarin dhe me familjet e tyre, për të kërkuar pastaj leje për një lidhje të mundshme po nga familjet. Nëna e djalit ishte gëzuar kur qe njoftuar për dashurinë, por tepër thellë ishte zhgënjyer kur ishte njoftuar për familjen e vajzës. Pasi nëna e saj njëherë e kishte ndarë nga i biri, nuk dëshironte që për herë të dytë ta ndante po nga i biri përmes kësaj ure që i ngjallte kujtime të kobshme, por mbi të gjitha ishte vullneti i lirë i djalit dhe kënaqësia e tij. Mjaft kishte vuajtur i biri për shkak të mungesës së nënës, ndaj nuk dëshironte që sërish të vuajë po si rrjedhojë e nënës, edhe pse thellë në zemër nuk pajtohej të miqësohej me atë familje. Nëna e vajzës desh ishte çmendur kur kishte marr vesh se me cilin djalë ishte dashuruar e bija e saj. Ndjenja e fajit tashmë e gërryente si një eskavator gurësh dhe nuk dëshironte t’i shtohet vuajtja edhe më tej kur të përballej me shoqen e saj të dikurshme, së cilës me vetëdije ia kishte bërë jetën ferr. Megjithatë dhe pas shumë përpjekjesh titanike për t’i ndarë, këta sërish ishin bashkuar, ngaqë në mes e kishin sinqeritetin, gjegjësisht dashurinë pa hile. Nënës së vajzës i mbetej të përjetonte goditje në zemër sa herë e shihte dhëndrin dhe shoqen e saj të dikurshme, kurse nëna e djalit lumturinë e saj e kishte përputhur me lumturinë e djalit dhe s’kishte mundësi të mos ndihej e lumtur dhe sa herë që i rastiste të takohej me shoqen e saj të dikurshme, ajo e shihte në sy atë, kurse kjo këtë shikim e mëtonte si shigjetë dhe ashtu me kokën ulur sikur i thoshte tokës të hapej se çdo shteg nëpër tokë i ishte mbyllur.

Ngjarjet janë shumë më joshëse dhe të dhimbshme seç mund t’i kem paraqitur në këto pak rreshta, të cilët mund të shërbejnë si një shtytje drejt leximit të këtij romani tepër të mirë, brenda të cilit shtjellohen shumë gjëra të këqija.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button