Kur kujtesa kërkon qëndrim: Nga Besa shqiptare te Gaza

Jetojmë në një kohë kur historia nuk është më vetëm mësim – është edhe pasqyrë. Dhe, jo rrallë, pasqyra na tregon fytyra që nuk i njohim dot. Apo ndoshta, nuk duam t’i njohim.

Besim NEBIU, Shkup

Në fund të viteve ’30, kur Europa kishte humbur busullën morale dhe Gjermania naziste po e kthente persekutimin e hebrenjve në politikë normale, politikë shtetërore, shumë kombe bënë zgjedhjen ta ulin kokën dhe të bëjnë sikur nuk shohin gjë. Disa për frikë, disa për interesa e disa nga kombinimi i të dyja – shumica e panë heshtjen si shpëtim.
Për dallim nga shumica e popujve, një popull i vogël, i pushtuar dhe i varfër, vendosi të qëndrojë drejt. Pa bërë shumë zhurmë, shqiptarët hapën dyert jo për ndonjë strategji dhe jo sepse ua kërkoi dikush, por sepse kështu e kishin në traditë. Kështu i udhëzonte “Besa”.
Historianët e njohur të Holokaustit, si Michael Berenbaum apo Deborah Dwork, e përmendin rastin e Shqipërisë si unik: një vend ku asnjë hebre nuk u dorëzua te nazistët dhe ku ndihma për hebrenjtë nuk ishte rastësi, por normë. Dokumentet në Muzeun e Holokaustit “Yad Vashem”, në Izrael, dëshmojnë se në fund të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ndodheshin më shumë hebrenj sesa në fillim të saj – një fakt që nuk gjendet në asnjë vend tjetër në Europë.
Në vitin 1992, “Yad Vashem” e nderoi shtetin shqiptar me titullin “Fisnikët e Kombeve” (“Righteous Among the Nations”) për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Familje të thjeshta nga Tirana, Vlora, Gjirokastra, Shkodra, e deri në fshatrat më të largëta, morën në shtëpitë e tyre njerëz që nuk i kishin parë kurrë më parë. Shumë prej tyre i mbajtën me vite të tëra dhe asnjë njeri nuk u tradhtua. Ishte një zgjedhje morale. E pastër, e rrezikshme dhe njerëzore.
Ajo që ndodhi atëherë nuk është thjesht një kapitull i lavdishëm i historisë sonë. Është një testament, një trashëgimi morale që na obligon edhe sot. Sepse historia nuk është album për nostalgji, por udhërrëfyes për të tashmen. Dhe e tashmja na thërret sërish.

* * *

Në një territor të vogël e të bllokuar, të quajtur Gaza, me një popullsi prej mbi 2.2 milionë banorësh – më shumë se gjysma nën moshën 18 vjeç – po zhvillohet një tragjedi që nga shumë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare po cilësohet si gjenocid. Që prej fillimit të ofensivës izraelite, në tetor 2023, mbi 63 mijë palestinezë janë vrarë, shumica gra e fëmijë. Janë shkatërruar spitale, shkolla, qendra kulturore, ndërkohë që uria dhe epidemitë janë bërë armët e reja të luftës.
Raporti i fundit i Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara flet për “shkelje të rënda dhe të përsëritura të së drejtës humanitare ndërkombëtare”, ndërsa organizata “Human Rights Watch” dhe “Amnesty International” kanë ngritur akuza për krime lufte. Akademikë, si Francesca Albanese, Raportuese Speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze, kanë folur qartë: “Ky është gjenocid në zhvillim.”
Dhe, megjithatë, heshtje. Heshtje nga shumica e qeverive. Heshtje nga institucionet ndërkombëtare. Heshtje nga shumë media që dikur i konsideronim zëra të lirisë. Një heshtje që të kujton tmerrësisht atë të viteve ’30, kur për persekutimin e hebrenjve bota thoshte “nuk është puna jonë”.
Sot, heshtja sot nuk është produkt i mosdijes. Sot, heshtja është zgjedhje shumë e qëllimshme!

* * *

Edhe në mesin tonë ka nga ata që kanë zgjedhur të heshtin. Apo edhe më keq – të rreshtohen hapur përkrah fuqisë që po kryen dhunën. Kur kryeministri Edi Rama, në një sërë deklaratash, mbështet pa asnjë rezervë qasjen e qeverisë izraelite, pa përmendur asnjëherë viktimat civile, për mua – dhe për shumë shqiptarë – kjo është jo vetëm zhgënjyese, por edhe e rrezikshme. Sepse, shteti shqiptar dhe ndërgjegjja kolektive shqiptare asnjëherë nuk është ndërtuar mbi kalkulime të ftohta diplomatike, por mbi moralin kolektiv të një populli që dinte të dallonte të drejtën nga e padrejta. Nuk po kërkoj nga Shqipëria ta ndryshojë boshtin diplomatik, por po kërkoj diçka më të thjeshtë dhe më të thellë: të mos harrojë kush është. Sepse, nuk jemi bërë të njohur për armë, por për nder. Nuk kemi mbijetuar si komb falë heshtjes, por falë kurajës për të thënë të vërtetën kur ishte më së vështiri ta thuash. E thënë troç, heshtja jonë sot është një formë e bashkëpunimit të heshtur me padrejtësinë. Dhe, ku nëse nesër dikush do të na pyesë: “Ku ishit ju, shqiptarët, kur ndodhte Gaza?”, çfarë do të themi? Se nuk ishte puna jonë? Se ishim të zënë? Se nuk donim të prishnim marrëdhëniet? Nuk ka justifikim. Sepse historia nuk fal më këtë lloj përgjigjeje. Historia kërkon qëndrim.

* * *

Dhe, nëse dikur shqiptarët guxuan ta ruanin një popull që po zhdukej, pa përfituar asgjë, madje duke rrezikuar gjithçka, a do të kemi sot guximin të flasim për një popull tjetër që po zhduket?
Në fund të fundit, nuk është numri i tankeve ose votave në Këshillin e Sigurimit që e përcakton madhështinë e një kombi, por ëshët ajo se kujt ia hap derën kur tjetri është në rrezik.
Nëse dikur e mbajtëm besën, sot është koha ta mbajmë kujtesën gjallë. Dhe, bashkë me të, ndërgjegjen tonë.

* * *

Është e rëndësishme të theksohet se edhe në të kaluarën nuk ishte gjithë opinioni ndërkombëtar që e kundërshtonte persekutimin e hebrenjve. Në vitin 1938, Konferenca e Evianit, e organizuar nga presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt, mblodhi përfaqësues nga 32 vende për të diskutuar fatin e refugjatëve hebrenj që po largoheshin nga Gjermania naziste. Por, përfundimi ishte zhgënjyes: asnjë vend nuk pranoi të rrisë kuotat e pranimit të tyre. Shqipëria, që nuk ishte e ftuar në konferencë, bëri më shumë se shumica e atyre që ishin në tavolinë.
Edhe sot, retorika politike ndërkombëtare është e mbushur me deklarata që shmangin thelbin. Përdoren terma si “vetëmbrojtje” ose “luftë kundër terrorizmit”, për të legjitimuar një dhunë disproporcionale dhe për të shmangur përgjegjësinë për shkatërrimin e jetëve civile. Por, e vërteta është se kur një popull i tërë futet në listën e objektivave, nuk është më “luftë”, por është politikë e zhdukjes. Dhe, kur politika e zhduk njeriun, vetëm ndërgjegjja mund ta rikthejë.

* * *

Atë që na mëson historia është se nuk mjafton ta kemi të drejtën me vete, por duhet ta themi, ta mbrojmë, ta jetojmë. Nëse duam ta ruajmë respektin që kemi ndërtuar ndër dekada si popull që i mbrojti hebrenjtë, atëherë duhet të reagojmë edhe sot, kur një tjetër popull është në prag të zhdukjes. Të mos jemi zë i viktimës sot, do të thotë ta braktisim moralin që e kemi ndërtuar me sakrificë. Dhe, ky është një luks që Shqipëria dhe shqiptarët, me gjithë historinë tonë, nuk mund ta përballojmë.

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button