KS i OKB-së miraton rezolutën për armëpushim të menjëhershëm në Sudan

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një projekt-rezolutë të premten që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Sudan gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Rezoluta, e paraqitur nga Mbretwria e Bashkuar, u votua gjatë një sesioni të KS të OKB-sw dhe u miratua me 14 vota të Këshillit prej 15 anëtarësh dhe një abstenim.
“Ne nuk kemi iluzione për qëllimet e vërteta të vendeve perëndimore”, tha Zëvendës Përfaqësuesja e Përhershme e Rusisë për Çështjet Politike, Anna Evstigneeva.
Evstigneeva akuzoi anëtarët për “standarde të dyfishtë” në lidhje me Gazën, “ku një masakër po ndodh, ku mbi pesë muaj më shumë se 30,000 njerëz kanë vdekur”.
Ajo vuri në dukje se është koha për diplomaci në Sudan.
Rezoluta e armëpushimit në Sudan
Rezoluta kërkon një ndërprerje urgjente të armiqësive gjatë gjithë Ramazanit në Sudan dhe inkurajoi përpjekjet drejt një zgjidhjeje përmes dialogut.
Rezoluta më tej kërkon akses të plotë të ndihmës humanitare dhe u kërkon palëve të përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.
Sudani është përfshirë nga luftimet midis ushtrisë, të udhëhequr nga gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, i cili është kreu i Këshillit Sovran në pushtet, dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake.
Të paktën 12,260 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 33,000 janë plagosur në konfliktin që filloi prillin e kaluar, sipas shifrave të OKB-së.
Një krizë humanitare vazhdon të përkeqësohet pasi gati 6.8 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre duke kërkuar siguri në Sudan dhe vendet fqinje.
Disa marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuara nga Arabia Saudite dhe ndërmjetësit amerikanë nuk kanë arritur t’i japin fund dhunës.