Kryeprokurori i GJNP-së shpallet i pafajshëm nga akuzat për sjellje seksuale të papërshtatshme

Karim Khan, kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, është shpallur i pafajshëm për çdo shkelje nga një panel gjyqtarësh të caktuar për të shqyrtuar gjetjet e një hetimi të Kombeve të Bashkuara mbi akuzat për sjellje seksuale të papërshtatshme ndaj tij, zbulon ekskluzivisht Middle East Eye.
Raporti tepër konfidencial i panelit prej tre gjyqtarësh iu dorëzua organit mbikëqyrës ekzekutiv të GJPN-së, Byrosë së Asamblesë së Shteteve Palë (ASP), më 9 mars. Ai nuk do të bëhet publik dhe nuk është parë nga shumica e 125 shteteve anëtare të gjykatës.
Që nga dhjetori, gjyqtarët – të emëruar nga ASP – kanë shqyrtuar një raport të jashtëm faktmbledhës të realizuar nga Zyra e Mbikëqyrjes së Brendshme të OKB-së (OIOS) mbi akuzat ndaj Khanit, të cilat janë zhvilluar paralelisht me përpjekjet e zyrës së tij për të ndjekur një hetim për krime lufte ndaj zyrtarëve izraelitë lidhur me luftën në Gaza.
Roli i panelit ka qenë të japë këshilla ligjore të pavarura për Byronë, bazuar në faktet e paraqitura në raportin e OIOS-it, për të përcaktuar nëse Khan – i cili i ka mohuar fuqishëm të gjitha akuzat – ka kryer shkelje të rëndë, më pak të rëndë, apo nuk ka kryer fare shkelje.
Përfundimi unanim i gjyqtarëve është se gjetjet e raportit “nuk vërtetojnë asnjë shkelje apo shkelje detyre”, sipas burimeve diplomatike që e kanë lexuar raportin ose janë informuar për të.
“Paneli është unanimisht i mendimit se gjetjet faktike të OIOS-it nuk vërtetojnë sjellje të papërshtatshme apo shkelje detyre sipas kuadrit përkatës,” përfundon raporti.
Ky përfundim përbën një zhvillim të rëndësishëm në hetimin për sjellje seksuale të papërshtatshme, i cili e ka lënë gjykatën në një situatë të paprecedentë pasiqë Khan kishte marrë pushim vullnetar vitin e kaluar mes pasigurive për të ardhmen e tij dhe rrjedhjeve të informacionit në media.
Byroja u mblodh të hënën për të diskutuar përgjigjen ndaj raportit, por ende nuk ka arritur konsensus. Sipas rregullave të GJPN-së, nëse Byroja konstaton se nuk ka pasur shkelje, hetimi duhet të mbyllet.
Hetimi i OIOS-it u porosit nga presidenca e ASP-së në nëntor 2024, pas raportimeve mediatike se një anëtar i stafit të Khanit e kishte akuzuar për sulm seksual, dhe pasi ankuesi kishte refuzuar të bashkëpunonte me organin hetimor të vetë GJPN-së.
Khan ka qenë në pushim që nga maji i vitit të kaluar, ndërsa zëvendësprokurorët e tij kanë drejtuar zyrën gjatë mungesës së tij.
Për tre muaj, paneli shqyrtoi raportin 150-faqësh të OIOS-it dhe mbi 5,000 faqe prova mbështetëse. Gjyqtarët zbatuan standardin “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, që është niveli më i lartë i provës në të drejtën penale.
Byroja ka 30 ditë nga dorëzimi i raportit për të dhënë vlerësimin paraprak, pastaj Khan ka 30 ditë për t’u përgjigjur, dhe më pas Byroja edhe 30 ditë për vendimin përfundimtar.
Khan nuk ka pranuar të komentojë, ndërsa ASP është kontaktuar për reagim.
Sanksione dhe presione
Akuzat ndaj Khanit kanë ardhur në një kohë kur ai po ndjek hetime ndaj zyrtarëve izraelitë për krime të dyshuara lufte në Gaza dhe territore të tjera palestineze.
Në maj 2024, ai kërkoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, çka shkaktoi një fushatë të fortë presioni nga Izraeli dhe aleatët e tij, veçanërisht SHBA.
Që nga shkurti 2025, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur sanksione financiare dhe kufizime vizash ndaj Khanit, bashkëpunëtorëve të tij, gjyqtarëve të GJPN-së, raportueses speciale të OKB-së për Palestinën dhe disa OJQ-ve palestineze.
SHBA ka kërcënuar edhe me sanksione ndaj vetë gjykatës, një skenar që zyrtarët e GJPN-së e konsiderojnë “katastrofik”.
Ndërkohë, gjyqtarët e GJPN-së po shqyrtojnë një sfidë të Izraelit ndaj juridiksionit të saj mbi çështjen palestineze, si dhe një ankesë tjetër për përjashtimin e prokurorit për mungesë paanshmërie.
Raportohet gjithashtu se në prill 2024, ish-ministri i Jashtëm britanik David Cameron i kishte bërë presion Khanit përmes një telefonate, duke paralajmëruar se Mbretëria e Bashkuar mund të tërhiqej nga GJPN nëse lëshoheshin urdhër-arrestet.
Khan i ka hedhur poshtë pretendimet se hetimet ndaj tij ndikuan në vendimet për urdhër-arrestet, duke i cilësuar ato si spekulime dhe pretendime të rreme. /MEE/



