Kryeparlamentari iranian paralajmëron se sulmet SHBA-Izrael mund të ndalin prodhimin dhe shitjen e naftës

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Qalibaf, ka paralajmëruar se sulmet e vazhdueshme SHBA-Izrael ndaj Iranit mund të çojnë në ndalimin e prodhimit dhe eksportit të naftës, transmeton Anadolu.
“Trumpi tha se çmimet e naftës nuk do të rriteshin shumë, por ato u rritën dhe tani ai thotë se së shpejti do të ketë një korrigjim. Nëse lufta vazhdon në këtë mënyrë, nuk do të mbetet asnjë rrugë për shitjen apo prodhimin e naftës”, shkroi Qalibaf në rrjetin social amerikan X.
Kryeparlamentari iranian tha se “iluzionet” e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, jo vetëm që po dëmtojnë interesat amerikane, por edhe interesat e vendeve të rajonit dhe të botës.
Më shumë se 1.200 persona, përfshirë liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë, janë vrarë dhe mbi 10.000 të tjerë janë plagosur në sulmet SHBA-Izrael kundër Iranit që nga 28 shkurti.
Teherani u kundërpërgjigj duke nisur sulme me dronë dhe raketa, që kanë shënjestruar Izraelin dhe vendet e Gjirit ku ndodhen asetet ushtarake amerikane.
Konflikti ka rritur shqetësimet për furnizimet globale të energjisë, mes një rënieje të ndjeshme të trafikut detar përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe përmes së cilës transportohen rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë.


