Kryeparlamentari Gashi viziton Tetovën: Bashkëpunimi ndërinstitucional çelës për zhvillimin e qytetit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Komunën e Tetovës, ku u prit nga kryetari i komunës, Bilall Kasami. Vizita u zhvillua në kuadër të iniciativës së Gashit për të qëndruar pranë komunave dhe për të ndjekur nga afër nevojat dhe sfidat me të cilat përballen ato.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi projektet aktuale dhe perspektivat për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të qytetit. Gashi u informua nga afër për sfidat kryesore që preokupojnë administratën lokale dhe qytetarët, si dhe për projektet që janë në proces ose në planifikim.

Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte nevoja për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, përfshirë edhe vënien në funksion të zyrave të deputetëve nëpër komuna, një mekanizëm që synon të afrojë institucionet qendrore me qytetarët dhe të rrisë transparencën dhe llogaridhënien politike.

“Falënderoj z. Kasami për mikpritjen dhe bashkëbisedimin konstruktiv. Ndajmë bindjen se vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta do të mund të avancojmë interesin qytetar dhe të sigurojmë një të ardhme më të mirë për Tetovën dhe mbarë rajonin”, deklaroi Gashi pas takimit.

Kjo vizitë shënon vazhdimin e një serie takimesh që kryetari i Kuvendit po realizon nëpër komuna të vendit, si pjesë e angazhimit për një institucion më të hapur, më të afërt me qytetarin dhe më të ndjeshëm ndaj nevojave lokale.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button