Kryeparlamentari Gashi viziton Poliklinikën në Hasanbeg, drejtori Iseni: Bashkë do të sjellim zgjidhje për sfidat e qytetarëve

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit – Shkup, Samir Iseni, ka bërë të ditur se sot në Poliklinikën në Hasanbeg është pritur Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.
“Sot, në Poliklinikën në Hasanbeg, patëm nderin të mirëpresim Kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi. Ai u njoh nga afër me sfidat dhe problemet që po përballon poliklinika në Hasanbeg dhe dëgjoi me vëmendje kërkesat e qytetarëve”, theksoi Iseni.
Ai nënvizoi se në këtë vizitë ishte i pranishëm edhe Vahit Fazliji, pjesë e ekipit të tyre.
“Në vizitë ishte i pranishëm edhe Vahit Fazliji, pjesë e ekipit tonë dhe shembull i rëndësisë së përfshirjes së personave me aftësi të veçanta në shoqëri”, shtoi drejtori i Shtëpisë së Shëndetit.
Iseni shprehu bindjen se me mbështetjen institucionale do të arrihet të ofrohen zgjidhje për problemet e qytetarëve.
“Besojmë se bashkë do të arrijmë të sjellim zgjidhje për sfidat që prekin qytetarët tanë”, u shpreh ai.