Kryeparlamentari Gashi takon Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Rutte: RMV mbetet një aleat i përkushtuar ndaj sigurisë kolektive dhe aktiv në misionet e NATO-s

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka njoftuar se ka mirëpritur në Kuvend, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Gashi ka thënë se RMV mbetet një aleat i përkushtuar ndaj sigurisë kolektive dhe aktiv në misionet e NATO-s.
“Pata nderin e veçantë të mirëpres në Kuvend Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte.
Riafirmova partneritetin e qëndrueshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Aleancën, duke theksuar se vendi ynë mbetet një aleat i besueshëm, i përkushtuar ndaj sigurisë kolektive dhe aktiv në misionet e NATO-s. Kontributi ynë për paqen dhe stabilitetin global është i qëndrueshëm, veçanërisht në këtë periudhë sfidash të shumta ndërkombëtare.
Si vend me aspirata të qarta për anëtarësim në Bashkimin Evropian, riafirmova harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe mbështetjen tonë për iniciativat europiane në fushën e mbrojtjes.
Theksova gjithashtu rëndësinë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s si urë lidhëse mes qytetarëve, parlamenteve dhe politikave të sigurisë së vendeve anëtare.
E falënderova z. Rutte për vizitën dhe mesazhin që sjell kjo vizitë, duke konfirmuar pozitën e vendit si një partner besnik dhe i respektuar brenda Aleancës dhe në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar kryeparlamentari Gashi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button