Kryeparlamentari Gashi takon rektorin e IBU-së, diskutohet për sfidat e arsimit të lartë dhe bashkëpunimin me Kuvendin

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim me rektorin e Universitetit Ndërkombëtar të Ballkanit (IBU), Prof. Dr. Lutfi Sunar, ku u diskutua për sfidat dhe perspektivat e arsimit të lartë, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe Kuvendit.
Sipas njoftimit të Gashit, takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, me fokus te roli i arsimit të lartë në përgatitjen e të rinjve dhe zhvillimin e shoqërisë.
“Diskutuam për sfidat dhe perspektivat e arsimit të lartë, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe komunitetit akademik”, ka deklaruar ai.
Gjatë bisedës, palët shkëmbyen mendime mbi rëndësinë e promovimit të vlerave akademike dhe zhvillimit të kërkimeve shkencore, duke theksuar nevojën për përgatitjen e të rinjve me kompetenca bashkëkohore që i përgjigjen kërkesave të kohës.
Kryeparlamentari theksoi gjithashtu gatishmërinë e institucionit që drejton për të mbështetur iniciativa në këtë drejtim.
“Kuvendi është i gatshëm të mbështesë iniciativa që kontribuojnë në avancimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe në fuqizimin e të rinjve”, thuhet në qëndrimin e tij.



