Kryeparlamentari Gashi takon përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit, theksohet rëndësia e harmonisë fetare dhe bashkëpunimit demokratik

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim me Michael Dozler, Shef i Njësisë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Zyrën për Lirinë Ndërkombëtare Fetare, si dhe me përfaqësues të tjerë pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit dhe promovimi i harmonisë fetare.

Gashi bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e integrimit të harmonisë fetare në marrëdhëniet shoqërore dhe ndikimin e saj në stabilitetin demokratik.

“Pata kënaqësinë të zhvilloj një takim me z. Michael Dozler, Shef i Njësisë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Zyrën për Lirinë Ndërkombëtare Fetare si dhe me përfaqësues tjerë pranë Departamentit Amerikan të Shtetit,” deklaroi Gashi.

Ai theksoi se harmonia fetare është një element kyç për kohezionin social dhe ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve.

“Theksuam rëndësinë e kultivimit dhe integrimit të harmonisë fetare në raportet shoqërore, si një shtyllë themelore për kohezionin social, stabilitetin demokratik dhe forcimin e besimit ndërmjet komuniteteve,” u shpreh kryeparlamentari.

Sipas tij, palët gjithashtu rikonfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha që mbështesin vlerat demokratike dhe zhvillimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.

“Rikonfirmuam përkushtimin tonë të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në fusha që kontribuojnë në konsolidimin e vlerave demokratike, forcimin e institucioneve dhe avancimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, të bazuar në tolerancë, respekt dhe barazi,” përfundoi Gashi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button