Kryeparlamentari Gashi takon ish-kryetarët e Kuvendit, fokus në përmirësimin e praktikës parlamentare

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, zhvilloi takimin e dytë me ish-kryetarët e këtij institucioni, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e funksionimit parlamentar.
Në takim morën pjesë ish-kryetarët Tito Petkovski, Trajko Veljanovski dhe Jovan Mitreski, ndërsa në fokus ishte edhe ideja për krijimin e një organi këshillëdhënës në kuadër të Kuvendit.
“Vijuam diskutimet për thellimin e bashkëpunimit dhe konkretizimin e idesë për krijimin e një trupi këshillëdhënës, që do të sigurojë vazhdimësi të kujtesës institucionale dhe do të kontribuojë në përmirësimin e praktikës parlamentare”, theksoi Gashi.
Ai shtoi se përvoja e ish-drejtuesve të Kuvendit mbetet një aset i rëndësishëm për institucionin. “Përvoja e tyre mbetet një vlerë e rëndësishme për forcimin institucional dhe avancimin e proceseve demokratike”, deklaroi kryeparlamentari.
Gashi nënvizoi se të gjithë pjesëmarrësit mbeten të përkushtuar për ndërtimin e një kulture të qëndrueshme dialogu, me synim përmirësimin e funksionimit të Kuvendit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.



