Kryeparlamentari Gashi takohet me drejtorin e Klinikës për Rehabilitim: Prioritet, kujdesi shëndetësor gjithëpërfshirës për qytetarët

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi një takim konstruktiv me drejtorin e Klinikës për Mjekësi Fizike dhe Rehabilitim në Shkup, Zllate Memedovic, ku në fokus të diskutimit ishte përforcimi i politikave shëndetësore që garantojnë qasje më të lehtë dhe efikase për qytetarët.
Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Gashi theksoi se mbështetja e institucioneve të kujdesit shëndetësor mbetet një prioritet i përbashkët. Ai nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të një sistemi shëndetësor gjithëpërfshirës, që ofron shërbime cilësore dhe të qasshme për të gjithë.
“Diskutuam për forcimit të politikave shëndetësore që garantojnë qasje më të lehtë, efikase dhe gjithëpërfshirëse për qytetarët. Mbështetja e institucioneve për kujdesin ndaj shëndetit të qytetarëve mbetet prioritet i përbashkët”, ka njoftuar Gashi.
Ky takim vjen në vazhdën e angazhimeve të kryeparlamentarit për të fuqizuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të nivelit të lartë dhe atyre shëndetësore në funksion të mirëqenies së qytetarëve.