Kryeparlamentari Gashi takohet me Daniel J. Lawton në Departamentin e Shtetit

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka njoftuar se gjatë vizitës në Uashington është takuar me z. Daniel J. Lawton, Zv. Ndihmës Sekretar në Byronë për Çështje Europiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
“Gjatë vizitës në Uashington, pata nderin të zhvilloj një takim me z. Daniel J. Lawton, Zv. Ndihmës Sekretar në Byronë për Çështje Europiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Riafirmuam partneritetin e palëkundur strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike, luftës kundër korrupsionit dhe angazhimin për paqe dhe stabilitet ndërkombëtar. Diskutuam mbi zhvillimet aktuale gjeopolitike, sfidat e sigurisë, si dhe rolin konstruktiv të vendit tonë si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
E informova për përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për integrim të plotë në BE, ndërsa shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA në procesin e reformave. Ky takim konfirmoi marrëdhëniet e forta bilaterale, të orientuara drejt së ardhmes me vizion të përbashkët për demokraci dhe prosperitet.
Në këtë takim isha i shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit, z. Antonio Milloshoski dhe z. Jovan Mitreski, si dhe nga delegacioni qeveritar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga ministri Stefan Andonovski, z. Zlatko Pirinski dhe Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, z. Igor Janushev”, ka shkruar kryeparlamentari Gashi.



