Kryeparlamentari Gashi takohet me ambasadorin e Koresë së Jugut, theksohet thellimi i bashkëpunimit

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Republikës së Koresë, Dongbae Kim, ku në fokus ishte avancimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.
Gashi bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në disa nivele, duke përfshirë edhe dimensionin parlamentar.
“Pata kënaqësinë të zhvilloj një takim të frytshëm me ambasadorin e Republikës së Koresë, Sh.T. Dongbae Kim, ku diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona”, u shpreh Gashi.
Ai theksoi se të dyja palët kanë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira dhe miqësore, duke vënë theksin në rëndësinë e bashkëpunimit institucional në përballjen me sfidat globale.
“Mbetemi të përkushtuar për të forcuar më tej lidhjet tona, në funksion të zhvillimit të përbashkët”, shtoi kryeparlamentari.
Sipas tij, në takim është nënvizuar edhe roli i parlamenteve në fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, si në planin bilateral ashtu edhe në atë multilateral.



