Kryeparlamentari Gashi reagon për tragjedinë ajrore në Indi: Dhimbje e thellë për mbarë botën

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka shprehur ngushëllime të sinqerta dhe solidaritet të plotë pas aksidentit tragjik të avionit në Indi, ku humbën jetën mbi 200 persona.
Në një reagim publik, Gashi e cilësoi aksidentin si një “dhimbje të thellë dhe një goditje të madhe për mbarë botën”, duke shtuar se në këto çaste të vështira, “mendimet dhe lutjet tona janë me ata që kanë humbur më të dashurit e tyre”.
Duke folur në emër të Kuvendit dhe personalisht, ai tha:
“Shprehim solidaritetin dhe ngushëllimet tona më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi”.
Ai gjithashtu bëri thirrje për hetim të plotë të shkaqeve të aksidentit:
“Shpresojmë që autoritetet përgjegjëse të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e shkaqeve dhe për parandalimin e tragjedive të tilla në të ardhmen”.