Kryeparlamentari Gashi në ASHAM: Shkenca dhe arti, baza e një shoqërie demokratike

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot mori pjesë në Kuvendin e rregullt vjetor të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, duke theksuar rëndësinë që ka ky institucion për zhvillimin shkencor, kulturor dhe shoqëror të vendit.
Gashi u shpreh se ishte nder për të të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, e cila sipas tij konfirmon rolin e madh të dijes dhe shkencës në ndërtimin e një shoqërie të përparuar.
“Pata nderin të jem pjesë e këtij eventi të rëndësishëm, i cili edhe një herë e konfirmon rëndësinë e shkencës, dijes dhe artit si themelet e çdo shoqërie të përparuar dhe demokratike”, tha Gashi.
Ai theksoi gjithashtu se bashkëpunimi mes institucioneve dhe komunitetit akademik është vendimtar për zhvillimin e vendit dhe për perspektivën evropiane të tij.
“Jam i bindur se bashkëpunimi midis institucioneve dhe komunitetit akademik është thelbësor për krijimin e një vizioni për të ardhmen dhe për ndërtimin e një Maqedonie të Veriut të qëndrueshme, të begatë dhe evropiane”, deklaroi kryeparlamentari.



