Kryeparlamentari Gashi: Mbikëqyrja dhe transparenca, themeli i besimit të qytetarëve në Kuvend

Në bashkëpunim me OSBE-në dhe Entin Shtetëror të Revizionit, në Kuvend u organizua një ngjarje e rëndësishme me temën “Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare përmes bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Entit Shtetëror të Revizionit”. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, theksoi se mbikëqyrja efektive, transparenca dhe llogaridhënia përbëjnë shtyllat kryesore mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve ndaj institucioneve.

Gashi vlerësoi kontributin e Entit Shtetëror të Revizionit dhe kryerevizorit shtetëror, Maksim Acevski, duke e cilësuar rolin e tyre si thelbësor për rritjen e efikasitetit të mbikëqyrjes parlamentare. Ai bëri thirrje që raportet e revizionit të mos mbeten vetëm dokumente formale, por të shndërrohen në debat parlamentar, vendimmarrje konkrete dhe korrigjim institucional.

Gjithashtu, kryeparlamentari shprehu mirënjohje për ambasadorin Kilian Wahl dhe mbështetjen e OSBE-së, duke theksuar se partneriteti i besueshëm dhe ekspertiza profesionale e organizatës kontribuojnë në avancimin e proceseve demokratike dhe forcimin e mbikëqyrjes parlamentare.

“Demokracia lind nga populli dhe jeton me besimin e tij, por ajo rrezikohet nga indiferenca dhe mungesa e përgjegjësisë institucionale”, deklaroi Gashi, duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët për institucione më transparente dhe më të përgjegjshme.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button