Kryeparlamentari Gashi: Europa ndërtohet këtu, në institucionet tona dhe në punën tonë të përditshme

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka ndarë njoftimin zyrtar pas përmbylljes së Konferencës së 8-të Plenare të Konventës Kombëtare për BE, një forum i rëndësishëm që bashkoi institucione vendore, ekspertë të integrimeve dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar rrugën europiane të vendit.
Gashi theksoi se e ardhmja e vendit është e pandashme nga Bashkimi Europian dhe se sukseset në këtë proces nuk arrihen përmes deklaratave politike, por përmes punës konkrete, dialogut dhe cilësisë së reformave.
“Procesi i integrimit nuk matet me kritika dhe retorikë, por me vendime, përgjegjësi dhe kulturë politike,” deklaroi ai, duke shtuar se transparenca dhe konsensusi mbeten kyçe për të çuar përpara agjendën europiane.
Kryeparlamentari u shpreh mirënjohës ndaj organizatave dhe shteteve partnere që mbështetën ngjarjen, si dhe ndaj të gjithë pjesëmarrësve që kontribuuan me ide dhe vizione për thellimin e reformave.
“Europa ndërtohet këtu, në institucionet tona dhe në punën tonë të përditshme,” përmbylli Gashi, duke riafirmuar përkushtimin institucional ndaj procesit të integrimit europian.



