Kryeparlamentari Afrim Gashi priti në takim lamtumirës ambasadoren amerikane Angela Aggeler

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim lamtumirës me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.S. Angela Aggeler, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vend.
“Pata nderin të zhvilloj një takim lamtumirës me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.S. Angela Aggeler, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë,” ka shkruar Gashi.
Ai ka vlerësuar lart angazhimin e ambasadores Aggeler, duke theksuar kontributin e saj në forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e besimit ndërmjet SHBA-së dhe institucioneve të vendit.
“Vlerësova lart angazhimin e saj, e cila përmes një qasje të hapur, parimore dhe konstruktive ka kontribuar në ndërtimin e besimit dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm me institucionet e vendit, përfshirë edhe Kuvendin,” thekson Gashi.
Në takim, sipas kryeparlamentarit, është rikonfirmuar partneriteti strategjik mes dy vendeve, duke u nënvizuar roli i SHBA-së si aleat kyç i Maqedonisë së Veriut.
“Rikonfirmuam marrëdhëniet tona të shkëlqyera dhe partneritetin strategjik të palëkundur, duke theksuar se SHBA mbetet aleati ynë më i fuqishëm dhe një mik i dëshmuar në stabilitetin, sigurinë, sundimin e ligjit, zhvillimin demokratik dhe luftën kundër korrupsionit,” ka deklaruar ai.
Në fund të takimit, Gashi i ka shprehur ambasadores Aggeler mirënjohjen për kontributin e saj gjatë mandatit diplomatik në vend.
“Në përfundim, i shpreha Ambasadores Aggeler falënderimet më të sinqerta për gjurmët që ajo ka lënë në vendin tonë, duke i uruar suksese të mëtejshme në angazhimet e saj të ardhshme,” ka përfunduar kryetari i Kuvendit.



