Kryeministri Rama: Sot ne jemi më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se sot vendi është më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë që ai drejton, Partisë Socialiste, Rama tha se hapja e të gjithë kapitujve të negociatave të anëtarësimit në BE ishte në një kohë rekord për historinë e integrimeve evropiane.
“Dhe sot, në 26 shkurt, ne jemi më afër anëtarësimit dhe ketë e them faktikisht jo metaforikisht sesa ç‘ishim fjala vjen në 26 janar apo lëre pastaj, në 26 shtatorin apo tetorin e vitit të shkuar. Dhe e përsëris, kjo nuk është letërsi, ky është fakt sepse e tillë është shpejtësia me të cilën po ecim në proces, falë volumit të madh të punës që po bëjmë se bashku”, tha Rama.
Rama tha se ekonomia vazhdon të ecë me ritmet e parashikuara, duke afirmuar sipas tij një rritje të qëndrueshme, “e cila për nga kohëzgjatja e saj në harkun e këtyre 35 viteve, është e pakrahasueshme me asnjë periudhë të mëparshme”.
Kryeministri Rama shtoi ndër të tjera se Shqipëria vazhdon të shkëlqejë ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, sipas tij “duke u vlerësuar dhe duke u respektuar në çdo forum dhe instancë të marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Pezullimin nga gjykata të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Rama e ka konsideruar “ndërhyrje brutale” ndaj pushteteve të tjera.
“Çfarë është përveçse ndërhyrje brutale në territorin e pushteteve të tjera, pezullimi i ministrit nga një prokuror dhe gjykatës me një vendim të një seancë paraprake pa gjyq, i pa ndodhur në historinë e botës. Kurrë nuk do ndërhyjmë ne në çështjet që i takojnë drejtësisë. Po të drejtat dhe liritë e njeriut, siguria juridike e qytetarëve, e punonjësve të shtetit apo e sipërmarrësve, garancitë e procesit të rregullt ligjor e me radhë, nuk janë çështje që i takojnë thjesht pushtetit gjyqësor, por janë çështje që lidhen me funksionimin demokratik të shtetit shqiptar”, tha Rama.
Balluku është marrë e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
“Unë nuk do t’i shmangem sot këtu temës që lidhet dhe me Belinda Ballukun, por nuk do të merrem me procesin që ka nisur në Parlament, sepse normalisht do pres dhe raportin e Këshillit të Mandateve përpara se të them dhe unë fjalën time, në mënyrë shteruese për temën e imunitetit”, theksoi Rama.
Raportet e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të Kuvendit të Shqipërisë do t’i paraqiten seancës plenare në ditët në vazhdim, ku do të votohet mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbi dhënin e autorizimit “për arrestimin/heqjen e lirisë” ndaj Ballukut.



