Kryeministri Rama: Evropa duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e saj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, ka deklaruar se kanë një përkushtim të ripërtëritur ndaj kontinentit dhe se Evropa duhet të bëjë më shumë kur vjen puna për mbrojtjen e saj, raporton Anadolu.

Pas përfundimit të samitit, në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u mbajt konferenca e përbashkët për mediat e kryeministrit Rama dhe kryeministres së Danimarkës, Mette Frederiksen, vendi i së cilës do të presë vitin e ardhshëm samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Rama u shpreh se u mblodhën së bashku për të zhvilluar një diskutim të rëndësishëm intensiv dhe mjaft të hapur, sipas tij, për një Evropë të re dhe botë të re që “ishte edhe titulli kryesor i këtij samiti”.

“Sot në Tiranë kemi një përkushtim të ripërtëritur ndaj kontinentit tonë e qytetarëve tanë, për t’i mbajtur fort bashkë vlerat e parimet që udhëheqin shoqëritë tona. Diskutuam edhe si do të ecim më tej dhe për të investuar më shumë në inovacion, në ato fusha të Evropës që i përkasin këtij komiteti politik”, tha Rama.

Ai tha se mendon që dita e samitit ka qenë e frytshme, duke shtuar: “Patëm një sërë tryezash të rrumbullakëta me një sërë temash diskutimi dhe në fund pati përfundime shumë interesante”.

Kryeministri shqiptar theksoi se së bashku përfaqësojnë një treg me një potencial masiv.

Frederiksen, nga ana e saj, u shpreh se samiti është një forum shumë i rëndësishëm, sipas saj për arsye se Evropa po përballet me një sërë sfidash.

“Siguria do të jetë çështja jonë kryesore, përparësi, në një botë shumë të pasigurt sot. Rusia është një kërcënim i madh jo vetëm sa i përket Ukrainës, por edhe të gjithëve ne, për shkak të sulmeve kibernetike, keqinformimit, po përpiqen të shkatërrojnë demokracitë tona, prandaj riarmatimi i Evropës duhet të jetë prioriteti numër një”, tha ajo.

Ajo shtoi se gjithashtu një temë tjetër shumë e rëndësishme si përparësi është emigracioni.

“Në pjesën tonë të Evropës emigracioni pothuajse ka qenë i pakontrolluar dhe pasojat tashmë janë të panumërta”, u shpreh Frederiksen.

Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Frederiksen, tha se, “Ne kemi parë sinjale nga presidenti (Donald) Trump që SHBA-ja është e gatshme që të vendosë më shumë sanksione në tryezë në rast se Rusia nuk është e gatshme të arrije marrëveshje(për armëpushim) dhe deri tani Rusia nuk ka qenë e gatshme ta bëjë këtë gjë”.

Në Shqipëri u mbajt samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian me moton “Evropa e re në një botë të re”, duke mbledhur së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish, si dhe përfaqësues të institucioneve kryesore ndërkombëtare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button