Kryeministri izraelit: Irani duhet të heq uraniumin e pasuruar ose përballet me rifillim të luftës

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se çdo uranium i pasuruar që mbetet në Iran duhet të largohet nga vendi përmes një marrëveshjeje, ose përmes rifillimit të veprimeve ushtarake, transmeton Anadolu.
“Materiali i pasuruar që ende mbetet do të largohet nga Irani. Do të largohet ose me marrëveshje ose përmes rifillimit të luftimeve”, tha Netanyahu në deklarata të transmetuara në televizion dhe të publikuara nga gazeta Yedioth Ahronoth.
Ai pretendoi se një armëpushim i përkohshëm me Iranin “nuk është fundi i luftës, por një ndalesë në rrugën drejt” arritjes së objektivave të Izraelit, duke theksuar se Izraeli është i gatshëm të rifillojë luftimet “në çdo moment të nevojshëm”.
Netanyahu gjithashtu pretendoi se Irani po hyn në negociata nga një pozicion i dobësuar, duke këmbëngulur se Izraeli ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në kapacitetet ushtarake dhe bërthamore të Iranit.
Sa i përket Libanit, Netanyahu tha se Izraeli këmbëngul që çdo armëpushim me Iranin nuk do të përfshijë Hezbollahun.
Dje, SHBA dhe Irani njoftuan armëpushim dyjavor që synon të hapë rrugën për një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Washingtoni dhe Tel Avivi kundër Teheranit më 28 shkurt, e cila ka lënë mijëra të vrarë dhe të plagosur.
Ndërmjetësuesit pakistanezë thanë se armëpushimi përfshin Libanin, ndërsa Netanyahu tha se nuk përfshihet. Hezbollah deri tani i është përmbajtur armëpushimit, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme izraelite.
Sot, ushtria izraelite nisi një valë sulmesh vdekjeprurëse në të gjithë Libanin, sipas Mbrojtjes Civile libaneze duke vrarë të paktën 254 persona dhe duke plagosur 1.165 të tjerë.
Izraeli ka kryer sulme ajrore dhe një ofensivë tokësore në jug të Libanit që nga një sulm ndërkufitar nga Hezbollah më 2 mars, pavarësisht një armëpushimi që hyri në fuqi në nëntor 2024.



