Kryediplomati turk Hakan Fidan në BRICS: Lufta e Izraelit në Gaza mund të shkaktojë pasoja globale
Ministri i Jashtëm i Türkiyes Hakan Fidan thotë se agresioni izraelit minon stabilitetin global, bën thirrje për veprime urgjente ndërkombëtare për të rivendosur paqen dhe për t'i mbrojtur institucionet shumëpalëshe.

Ministri i Jashtëm turk paralajmëroi se lufta e Izraelit në Gaza ka përmbysur dekada të tëra zhvillimi në rajon dhe mund të ketë pasoja globale nëse agresioni i tij nuk frenohet, sipas burimeve diplomatike turke.
“Nëse agresioni dhe ekspansionizmi i Izraelit nuk vihen nën kontroll, pasojat do të ndihen globalisht”, tha Hakan Fidan të dielën gjatë një sesioni në samitin e 17-të të liderëve të BRICS-it në Rio de Janeiro, të organizuar nga Brazili.
Duke folur në një panel të quajtur “Forcimi i Multilateralizmit, Çështjeve Ekonomike-Financiare dhe Inteligjencës Artificiale”, Fidan tha se veprimet e Izraelit kanë shkaktuar një krizë për institucionet ndërkombëtare përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
“Tragjedia e popullit palestinez është tani në qendër të diskutimeve tona mbi multilateralizmin”, tha ai.
“Kjo situatë është një krizë serioze për legjitimitetin e institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, tha Fidan.
Fidan tha se Türkiye po intensifikon përpjekjet për të mbështetur një zgjidhje paqësore dhe uljen e tensioneve në rajon dhe është e gatshme të mbështesë paqen e qëndrueshme.
Ai vuri në dukje se globalizimi ka thelluar varësitë e ndërsjella, duke i bërë zinxhirët e vlerave, veçanërisht në energji dhe minerale kritike, gjithnjë e më të brishtë, duke theksuar nevojën për rritje, punësim dhe tregti të lirë për të arritur zhvillim.
“Ndërsa bota lëviz drejt multipolaritetit, qeverisja globale e Inteligjencës Artificiale po bëhet një përparësi kritike”, tha ai.
“Duhet të merren masat e nevojshme paraprake për të parandaluar që IA-ja të shndërrohet në një mjet të ri dominimi”, theksoi kryediplomati turk.