Kryediplomati spanjoll: Evropa ndodhet “në një pikë kthese”

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares deklaroi se Evropa ndodhet në një pikë kthese në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu.
Albares foli për kanalin televiziv spanjoll “La Sexta” gjatë samitit të G20 që mbahet në Republikën e Afrikës së Jugut.
Lidhur me zhvillimet në luftën Rusi-Ukrainë, Albares tha: “Ne jemi padyshim në një pikë kthese. Kjo nuk është hera e parë në historinë evropiane që ndodh kjo. Këtë herë po përjetojmë një të re. Ne të gjithë duhet të marrim një vendim dhe të zgjedhim anën tonë. Ose do të jemi në anën e vlerave demokratike dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar Evropa ose do të jemi në anën e agresorit. Duhet të qëndrojmë në një mënyrë të qartë përkrah Ukrainës”.
Albares mbrojti idenë se sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës kanë vazhduar për tre vjet, se këto sulme nuk kanë asnjë të drejtë dhe se ka nisur një luftë e padrejtë dhe e paligjshme. “Spanja ka qenë në krah të Ukrainës që në fillim dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, theksoi ai.
Lidhur me akuzën “diktator” të presidentit amerikan Donald Trump që shënjestroi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Albares tha se “Zelenskyy u zgjodh president në mënyrë demokratike dhe me një përqindje shumë të lartë votash. Ai është në detyrë me vlera krejtësisht demokratike”.
Pasi kritikoi të gjithë liderët e ekstremit të djathtë që përpiqen të mbrojnë Rusinë, veçanërisht Santiago Abascal, liderin e partisë Vox në Spanjë, Albares tha:
“Kjo është skandaloze dhe krejtësisht absurde. Ne të gjithë e dimë se babai i kësaj lufte, njeriu i vetëm i saj është (presidenti rus Vladimir) Putin. Të jesh në anën e agresorit do të thotë të kundërshtosh projektin evropian. Pa Bashkimin Evropian, as spanjollët dhe as pjesa tjetër e Evropës nuk do të kishin stabilitetin, paqen dhe përparimin që kanë gëzuar për dekada të tëra”.
Delegacionet amerikane dhe ruse u takuan në kryeqytetin saudit Riad më 18 shkurt për të diskutuar mbi normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe përfundimin e luftës në Ukrainë.