Kronologji: Nga Guatemala në Irak, kur SHBA ndërhyri për të ndryshuar regjime nëpër botë

Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet për një ndryshim regjimi në Iran, pasi avionët amerikanë hodhën bomba depërtuese në objektet kryesore bërthamore të Teheranit gjatë fundjavës.
Qëndrimi i Trump bie ndesh me deklaratat e nënpresidentit JD Vance dhe sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, të cilët pretenduan se SHBA nuk kishte për qëllim rrëzimin e qeverisë iraniane.
“Nuk është politikisht korrekt të përdorësh termin ‘Ndryshim Regjimi’, por nëse regjimi aktual në Iran nuk është në gjendje ta bëjë Iranin të madh përsëri, pse të mos ketë ndryshim regjimi??? MIGA!!!”, shkroi Trump në platformën e tij sociale, duke përdorur shkronja të mëdha në pjesë të postimit dhe duke bërë një paralele me lëvizjen e tij MAGA.
Trump kishte premtuar gjatë fushatës që të mos e përfshijë SHBA-në në luftëra të huaja. Por ndryshimi i papritur i qëndrimit të tij ka zemëruar kampin izolacionist brenda Partisë Republikane, i cili kërkon të mbajë ushtrinë amerikane jashtë çdo konflikti për llogari të vendeve të tjera në vende të largëta.
Në të kaluarën, SHBA ka kryer ndërhyrje për ndryshim regjimesh në shumë vende, që kryesisht kanë prodhuar pasoja të paparashikuara si: paqëndrueshmëri politike, dhunë etnike dhe konflikte sektare.
Ja një përmbledhje e shkurtër e ndryshimeve të regjimit të mbështetura nga SHBA që nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat çuan në luftë civile afatgjate ose fuqizuan grupe që ishin armiqësorë ndaj interesave amerikane:
Iran – 1953
Me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, SHBA luajti rol kyç në rrëzimin e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike të kryeministrit Mohammad Mossadegh më 1953.
SHBA vendosi në pushtet monarkinë pro-perëndimore të Shah Mohammad Reza Pahlavi, kryesisht për të mbrojtur interesat perëndimore të naftës dhe për të kundërshtuar ndikimin sovjetik.
Grushti i shtetit i organizuar nga CIA përfshiu ryshfete, propagandë dhe dhunë nga turma të manipuluara.
Kjo ndërhyrje krijoi urrejtje afatgjatë ndaj SHBA-së mes iranianëve.
Në vitin 1979, një revolucion i udhëhequr nga udhëheqësi fetar Ruhollah Khomeini rrëzoi Shahun dhe themeloi një qeveri fortësisht anti-amerikane.
Ky grusht shteti përmendet shpesh si shkak për rritjen e ndjenjave anti-amerikane në Lindjen e Mesme.
Guatemala – 1954
Në vitin 1954, SHBA organizoi rrëzimin e presidentit të zgjedhur demokratikisht Jacobo Arbenz, i cili shihej si kërcënim komunist për shkak të reformave të tokës që cënonin interesat e korporatave amerikane.
CIA përdori luftë psikologjike, propagandë dhe një forcë të vogël mercenarësh të udhëhequr nga oficeri Carlos Castillo Armas për të përmbysur qeverinë.
Megjithëse Armas erdhi në pushtet me mbështetjen amerikane, kjo ndërhyrje fshehtë shkaktoi një luftë civile 36-vjeçare (1960–1996) që mori jetën e rreth 200,000 njerëzve dhe solli shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Në vend që të sillte stabilitet, kjo ndërhyrje forcoi grupet e majta dhe rriti ndjenjat anti-amerikane në Amerikën Latine.
Kuba – 1961
SHBA tentoi të rrëzonte regjimin komunist të Fidel Castros në 1961 duke organizuar një “pushtim” nga kubanezë në mërgim të trajnuar nga CIA.
Invasioni dështoi brenda pak ditësh, pasi forcat kubane e mposhtën shpejt sulmin.
Dështimi forcoi pozitat e Castros dhe e shtyu Kubën drejt aleancës me Bashkimin Sovjetik, duke çuar në Krizën e Raketave në Kubë në 1962, momenti më i afërt me një luftë bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë.
Vietnam Jugor – 1963
SHBA organizoi në 1963 rrëzimin e presidentit Ngo Dinh Diem, për shkak se politikat e tij thuhej se pengonin përpjekjet amerikane për të ndaluar komunizmin.
CIA ndihmoi gjeneralët vietnamezë të përmbysnin presidentin, ndërsa ambasadori amerikan në vend siguroi financimin.
Pas grushtit të shtetit dhe vrasjes së Diem, qeveria vietnameze u dobësua, ndërsa forcat komuniste Viet Cong u fuqizuan.
Kjo paqëndrueshmëri çoi në përshkallëzimin e ndërhyrjes ushtarake amerikane, që përfundoi me mbi 58,000 ushtarë amerikanë të vrarë dhe miliona viktima vietnameze.
Irak – 1963
SHBA mbështeti aktivisht grushtin e shtetit të Partisë Baath në Irak kundër kryeministrit Abd al-Karim Qasim, i cili shihej si pro-komunist.
Ky grusht shteti u quajt si “një nga operacionet më të sofistikuara të CIA-s në Lindjen e Mesme”.
Qasim u vra, dhe Partia Baath mori përkohësisht pushtetin.
Megjithatë, regjimi i dytë Baathist nën Saddam Husseinin (1979–2003) e ktheu Irakun në kundërshtar të SHBA-së, duke sjellë luftëra, shtypje dhe paqëndrueshmëri rajonale.
Afganistan – 1979-1989
Gjatë viteve 1980, SHBA armatosi mujahidinët afganë për të përmbysur qeverinë komuniste të instaluar nga sovjetikët.
CIA derdhi miliarda dollarë në armë, ndihmë dhe trajnim për të luftuar ndikimin sovjetik.
Kjo solli tërheqjen e BRSS nga Afganistani më 1989.
Por ndërhyrja çoi në luftë civile (1989–1996) dhe në fuqizimin e Talibanëve, ndërsa Al-Qaeda gjeti strehë në rajon, duke sjellë më pas ndërhyrjen amerikane më 2001 dhe dekada të tëra kaosi.
Irak – 2003
SHBA pushtoi Irakun në 2003 për të përmbysur regjimin e Saddam Husseinit, me pretendimin se kishte armë të shkatërrimit në masë (WMD).
Pavarësisht rrëzimit të shpejtë të regjimit, nuk u gjetën armë të tilla.
Pushtimi shkaktoi kryengritje dhe dhunë sektare, ndërsa grupe terroriste si Daesh e shfrytëzuan kaosin për të fituar terren.
Për pasojë, mbi 4,400 ushtarë amerikanë dhe qindra mijëra civilë irakianë humbën jetën, ndërsa Iraku mbeti i paqëndrueshëm për vite me radhë. /TRT World/