Kriza ushqimore dhe mungesa e energjisë në Rripin e Gazës thellohet dita-ditës

Pas përfundimit të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës, e cila zgjati për 42 ditë, Izraeli ka ndaluar hyrjen e të gjitha furnizimeve të ndihmave humanitare në enklavën palestineze, si dhe ka ndërprerë edhe furnizimet me energji elektrike në enklavën palestineze, raporton Anadolu.
Palestinezët në Gaza presin në radhë të gjata për të marrë një pjatë ushqim të shpërndarë nga organizatat humanitare, duke u përballur me një krizë ushqimore dhe të ujit që po thellohet dita-ditës, duke iu shtuar edhe mungesa e energjisë elektrike që erdhi si masë e fundit e Izraelit për të forcuar bllokadën mbytëse në enklavën palestineze, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe të shkëmbimit të të burgosurve.
Palestinezët janë parë edhe duke u përpjekur të karikojnë telefonat e tyre me bateri dhe energji diellore për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, tashmë që nga 2 marsi.
Mbyllja e kalimit kufitar Kerem Abu Salim, respektivisht kryqëzimit të dy pjesëve kufitare, midis Gazës me Izraelin dhe midis Gazës me Egjiptin, po përkeqëson krizën e karburantit dhe ushqimit.
Duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit dhe duke bllokuar hyrjen e ndihmave humanitare, Izraeli po zbaton një politikë “sistematike dhe të qëllimshme” të urisë kundër palestinezëve në Rripin e Gazës.
Zyrtarët lokal në Rripin e Gazës kanë paralajmëruar se ndërprerja e energjisë elektrike nga Izraeli do të përkeqësojë krizën e ujit në enklavë. Ata njoftuan se tetë nga 19 puse të ujit vetën në Deir al-Balah kanë ndaluar funksionimin për shkak të bombardimeve izraelite dhe mungesës së energjisë elektrike.
Të paktën 48.500 njerëz janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, në luftën brutale izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023. Sulmet u ndërprenë në bazë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve, e cila hyri në fuqi në muajin janar.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.