Kreu i OKB-së nis një “udhëtim solidariteti të Ramazanit” në Turqi

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, do të udhëtojë drejt kryeqytetit të Turqisë, Ankara, si pjesë e “udhëtimit vjetor të solidaritetit” për muajin e shenjtë mysliman, Ramazanin, tha zëdhënësi i tij, transmeton Anadolu.
“Siç e dini, çdo vit sekretari i përgjithshëm kryen një vizitë solidariteti gjatë Ramazanit. Këtë vit ai do të udhëtojë në Turqi, drejt kryeqytetit, Ankara, për t’i bërë nder bujarisë së jashtëzakonshëm të popullit turk gjatë shumë viteve”, tha Stephane Dujarric në një konferencë për media, duke shtuar se Guterres do të niset sot.
Duke kujtuar mikpritjen e Turqisë për “miliona njerëz të detyruar të largohen nga dhuna dhe përndjekja” Dujarric tha se Guterres do të “takojë gjatë udhëtimit përfaqësues të organizatave joqeveritare që punojnë për mbështetjen e refugjatëve në Turqi”.
“Turqia ka ofruar strehim dhe mbështetje, duke pritur një nga popullatat më të mëdha të refugjatëve në botë, me afërsisht 2,5 milionë refugjatë dhe azilkërkues, përfshirë më shumë se 2,3 milionë sirianë” vuri në dukje Dujarric.
Guterres gjithashtu do të pranojë “Çmimin Shtetëror, Çmimin Ndërkombëtar të Paqes Ataturk” të cilin ai do ta pranojë në emër të punonjësve të OKB-së në mbarë botën, gjatë vizitës së tij në Turqi.
“Gjatë vizitës së tij, sekretari i përgjithshëm pritet të zhvillojë bisedime me Presidentin e Turqisë (Recep Tayyip) Erdogan dhe ministrin e Jashtëm Hakan Fidan”, shtoi Dujarric.



