Kreshendo në mesditë..!
Shkruan: Driton DEMIRI, Gostivar
…Ndërsa dita është e ngjitur në Olimp, e dielli ende nuk është zhytur, I prirur me kuptimin e kokëfortit realist, jam rezolutë për atë që pandeh,… ndaj, planifikoni të habiteni.
-Si mund të flasësh nëse nuk ke tru- pyeti Dorothy.
-Nuk e di. Por, ata që nuk kanë tru u pëlqen të flasin shumë- u përgjigj Gogoli.
Është ky dialogu, bashkëbisedimi më tërheqës, mes dy personazheve, protagonistes Dorothy dhe Gogolit nga romani me elemente fantazie, Magjistari i mrekullueshëm i Ozit, një nga klasikët e letërsisë për fëmijë, të autorit amerikan Liman Frank Baum i cili jetoi dhe veproi për vetëm 62 vjet mes dy shekujve, atë të nëntëmbëdhjetë dhe njëzet.
Tani do mbyllin gojën të gjithë.
Në praktikë, për çdo marrëzi ne jemi një shfaqje që paguhet shtrenjtë. Megjithëse, Prometeu ua dha me këmbëngulje e zë të fortë përgjigjen perëndive olimpike, “O, ju zotëra të gjithëve ju urrej! Nuk dua t’i ndërroj mundimet e mia me shërbimin skllavëror ndaj një tirani! Shkurtazi, o ju zotëra, ju urrej të gjithëve pa përjashtim.”. Na marrtë e keqja, (siç na ka marrë), si rrjedhim, kësisoj shqipton populli. Është shumë më keq kur të zë një gjumë, një dremitje, një kote dreke, (edhe atë ulur në karrige) sesa gjumë i natës. E në gjumë dhe ëndrra të gjithë jemi të barabartë zbardhon faktin filozofi rumun Emil Cioran, duke ia thënë mendimit se, të gjithë ne jemi gjeni kur ëndërrojmë… si kasapi si poeti në ëndërr janë të barabartë. Kështu që, një kreshendo në mesditë, bën mirë për të na mbajtur zgjuar. E sa për ëndrrat, nuk ëndërrohet gjatë ditës. Ëndrrat i takojnë natës, gjumit të natës.
Nisur nga kjo, e më gjerë, shumë herë përgjatë kohës së rinisë e mendoja se në një moment si Mocarti si Betoveni, paksa, tingëllonin të njëjtë. E, sa për hir të së vërtetës ndërsa provoj të përshkoj në brendi rrëfimin për klasikët, për korrektësi, saherë, në atë kohë, që dëgjoja atë muzikë, mendja në të parën më shkonte tek Katër Stinët e Vivaldit, të cilën 300 vjet më parë njerëzit me siguri do ta dëgjonin pak a shumë një herë në jetë. Tani, ne, mund ta dëgjojmë sa herë që duam, sidomos, perlën, uverturën, pranverën, ashtu dhe sonatat dhe simfonitë e Betovenit dhe Mocartit edhe shumë e shumë melodi tjera të sojit. Në këtë arsye(mendje), krejt, befas në pajtim të plotë me numrin katër, siç që është thjesht për ta nënvizuar, melodia, Katër Këngët e Fundit të kompozitorit Rihard Straus, i njohur për poezitë simfonike, i cili konsiderohet romantik-u i fundit i madh gjerman në muzikën klasike. Këngë, këto, edhe pse pa një jehonë të madhe, të kompozuara pak para vdekjes, pothuajse po aq mrekulli sa kryeveprat e hershme të Mocartit dhe Betovenit. Këngë brilante, thjesht mahnitëse, të shkruara nga dy shkrimtarët e njohur gjerman, tre të parat, nga më i shquari i shekullit njëzet, nobelisti, Herman Hese dhe e katërta, e fundit nga Jozef von Eihendorf, poetit lirik më frytdhënës i kohës së romantizmit, i quajtur si “poeti i pyjeve gjermane”. Katër Këngët e Fundit janë aq të jashtëzakonshme, në çast edhe të pabesueshme kur merret parasysh se si ky kompozitor me aq mjeshtëri ka vendosur këtë muzikë. Sidomos, kënga e dytë dhe e tretë Shtatori dhe Kur bie në gjumë, e veçmas e katërta Në perëndimin e diellit, e cila, edhe pse, si një metaforë për vdekjen, është aq e bukur, reflektuese, paqësore dhe melankolike. Dhe për ta theksuar se Rihard Strausi, nuk ka, asnjë lidhje, as me Johan Strausin e parë as me të dytin, është shumë e rëndësishme. As ishte nazist, duhet thënë këtë me kujdes e saktësi; megjithatë nëpërmjet orientimit oportunist, gjatë regjimit, arriti të vë veprat në skenë.
(Hese, po ta vë për çast, si premisë, për disa sekonda shkallë muzikore, në një shtrirje duke iu drejtuar politikanëve të asaj largësie, para 80-90 vitesh, hedh një parashtrim, një konkluzion ngazëllues muzikor e biblik në harmoni, duke shënuar se; – >Muzika e Betovenit dhe fjalët e Biblës më thanë saktësisht të njëjtën gjë; ishin ujë nga i njëjti burim, i vetmi burim nga i cili njeriu nxjerr të mira…duke iu vënë në mendje për fjalimet e tyre se nuk rrjedhin nga ajo pranverë, se atyre u mungon ajo që mund t’i bëjë fjalët njerëzore të rëndësishme dhe të vlefshme. Atyre u mungon dashuria, u mungon njerëzorja>.
Ndonëse, në romanin e fundit dhe veprën më të mirë e më popullore të tij në Gjermaninë e shkatërruar të vitit 1945, Loja e rruazave prej qelqi, njëri nga personazhet, me pa pritmëri, shpall të gjithë muzikën pas Bahut si artificiale dhe të keqe, duke deklaruar se Betoveni është shembulli më ekstrem i shijes së keqe në muzikë. Loja kombinon matematikën, muzikën, shkencën, artin dhe filozofinë, për të krijuar një harmoni të brendshme, një “kozmos krejtësisht simetrik dhe harmonik” brenda vetes. E gjithë ngjarja, ndodh në një provincë të trilluar të quajtur Kastalia në shekullin e njëzet e tretë. Në thelb, libri pasqyron motivin themelor, kërkimin e individit për vetë njohjen. Aty, ai, si përcaktim të përmbajtjes, interpreton në një përmasë të prerë se,”…Një njeri mund të jetë specialist i rreptë në fushën e logjikës ose të gramatikës dhe në të njëjtën kohë të jetë plot fantazi e muzikë… Shkencëtari që, në rolin e vet si orator, si autor ose si mësues, thotë me dashje gjëra të rreme, përkrah me dashje gënjeshtrat e falsifikimet,…nuk i sjell asnjë dobi popullit të vet, përkundrazi, e dëmton rëndë, i prish ajrin dhe tokën, ushqimin dhe pijen, i helmon mendjen dhe ndjenjën e drejtësisë, duke ndihmuar në këtë mënyrë të gjitha forcat e këqija e armiqësore që e kërcënojnë popullin për ta asgjësuar”.)
…
Përpos tingujve, nga kjo vijë, shumë e pazakontë, Rumi, (duke mos dyshuar për asgjë) me hov të zjarrtë ndërthur e porosit, dil si luan, si një trëndafil. Nuk je një, je një mijë. Thjesht ndize fenerin tënd. Ndërkohë, të gjithë sikur kanë frikë. Dallohen, shihen në sy. Dhe, për të mos lënë anash dhe atë, që është po ashtu shumë e rëndësishme, si çdoherë kujdesem maksimalisht për gabimet drejtshkrimore. Njëjtë sikur Shekspiri tek tragjikomedia, Dy të afërmit fisnikë dhe komedia Ëndrra e një nate vere. Gjithçka është përmbys, me kokë poshtë. Kup e qiell, pa dinjitet e integritet. Me “shëndet” të zvarritur, e, me, bllokim arteriesh. Siç pohon një shprehje e vjetër kineze, parafrazoj, nuk është citim i drejtpërdrejtë, –nëse feniksit i bien pendët duket më keq se pula-. Menjëherë, veç kësaj; kusure pa asnjë domethënie, si me ndërsim, me shumë tërbim. Njerëz të humbur midis dunës së rërës. Që nuk e dinë se për çka flasin. Të palexueshëm e kaotik. Rrethana goxha të dëshpëruara, aq të neveritshme dhe pa stil. Jashtë mode në të gjitha frontet. Situata është e pa trajtë. Një gjendje e ligë, e pakëndshme. Derisa fajtor e përgjegjës janë vetë, për gjendjen, situatën. E, sa më përket mua, as kam ra nga dardha, as kam kërcyer e kërcej si gjel, e as kam dalur e dal ndonjëherë si kërrja para gomarit. Dhe nuk do vijoj të flas keq, kur të më vijë, atëherë do flas. Mirëpo, gjersa këto frazeologji ngjasojnë shumë njëra me tjetrën, sa është hekuri i nxehtë, pika, si përherë, është për të thënë atë që duhet thënë. Mbase, edhe me një të rënë samarit. Sido që, të thuhet, nga kjo anë, një pjesë më e madhe, ajo dërmuese e njerëzve janë gënjeshtarë, një pjesë të pandershëm e të vrazhdë, një pjesë tjetër janë sharlatan, të hutuar dhe mendjelehtë, dhe pjesa tjetër shumë e vogël a janë të mirë, nuk ka fare rëndësi. Meqenëse, Hese thotë drejtpërdrejt, “Në natyrë nuk ka asgjë të pabesë, të egër dhe mizore, sa njeriu”. Çfarë të bëj? Kështu janë njerëzit! A, do duhet të bëj, larg qoftë, më të keqen, që të vijë e mira?! Kurrfarë, e gjitha kjo nuk ndihmon në asnjë pikë. Çfarë të them atëherë? Mjafton, vetëm të them, që sot e në vijim, mirëqenien, që të gjithë e mbledhim, duhet të shpërndahet si notat në pentagram. Njëjtë si një sonatë a koncert që luhet në A-mol solo piano ose violinë.Të sjellim kohë të ëmbla, në mëngjes, në drekë e darkë. Të jemi të kënaqur, e të jemi të lumtur. Dhe jo për çdo ditë e më shumë të jemi më të varfër, më të pa kënaqur dhe më të pa lumtur.
Me këtë në mendje, meqë, jo shumë e shumë ditë që lamë pas u përmend Godoja. Në dramën në dy akte, tragjikomike (siç më në fund e quan vetë autori irlandezë Samjuël Beket) Duke Pritur Godonë. Në pjesën ku Vladimiri dhe Estragoni dëshirojnë të varrin veten, por nuk kanë litar, dhe vendosin të nesërmen të sjellin litarin. Fundi është qesharak dhe shpesh i cituar:
Vladimiri: Atëherë, a po shkojmë?
Estragoni: Shkojmë!
(qëndrojnë në vend)
Për një fund të çlirët, e të pavendosur, gjithmonë si litari, ka dhe muzikë e këngë edhe për nesër, Betoveni në një seancë kalitjeje, pëshpëriti: “Unë, nuk njoh asnjë shenjë tjetër superioriteti, përveç mirësisë”. Dhe, kështu, pasi mbaroi nën dhé, duke u larguar në rrugën e përjetësisë, duke marrë me vete mirësinë, la njërën nga kompozimet më të njohura, Bagatella nr.25, e ditur zakonisht, si, Për Elizën, e cila u zbulua 40 vjet pas vdekjes së tij, një kryevepër, margaritar, në të cilën dhimbja e brendshme ndihet në këtë përbërje. Atë që nuk ka mundur ta shpreh dot me fjalë, shprehet dhe transmetohet aq qartë përmes kësaj muzike.
Dhe kur të largohemi,
Në rrugën e përjetësisë,
Pasi të mbarojmë nën dhé,
Duke marrë me vete mirësinë,
Do mbeten gjitha të këqijat këtu.
…
Përndryshe, përderisa jamzgjuar dhe jetoj, kur vij e mbërrij, tek, kreshendoja, për ti dhënë akoma më shumë oksigjen trurit, ajo, arrin pikën më të lartë të intensitetit:
tara tara tara ta, tatara ta tatara ta…
…Duke u përqendruar te muzika, të mos pendohem hidhur, Shekspiri, që i kam hyrë në hak, herë pas here, për citimet, rishtas, kërciti,…mos ndalo së qeshuri.