Kremlini refuzon ofertën e Zelenskyt për armëpushim 30-ditor

Kremlini refuzoi thirrjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për një armëpushim 30-ditor, pasi udhëheqësi i Ukrainës kritikoi propozimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për një ndalesë treditore të luftës në Ukrainë që përkonte me festimet vjetore të Ditës së Fitores në Moskë.
Armëpushimi i propozuar nga Rusia do të ndodhte nga 8 deri më 10 maj, kur Rusia shënon 80-vjetorin e fitores kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Zelensky vuri në dyshim nevojën për të pritur deri atëherë për një armëpushim, duke thënë se kjo ishte një lëvizje “vetëm për t’i siguruar Putinit heshtje për paradën e tij”.
“Ne vlerësojmë jetët njerëzore, jo paradat”, tha Zelensky në adresimin e tij të përnatshëm, duke propozuar një armëpushim “të menjëhershëm, të plotë dhe të pakushtëzuar” për 30 ditë.
Një propozim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një armëpushim të pakushtëzuar, me të cilin Ukraina ishte pajtuar, gjithashtu mbetet opsion, përsëriti Zelensky.
“Rusia e di saktësisht se çfarë duhet të bëjë dhe si të përgjigjet: të ndalojë sinqerisht sulmet”, tha ai.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës tha më herët se njoftimi i Kremlinit më 28 prill ishte i pasinqertë dhe se armëpushimi duhej të fillonte menjëherë.
Përgjigja e Rusisë më 29 prill, megjithatë, ishte refuzimi i armëpushimit më të gjatë “të menjëhershëm”, me zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, që tha se disa çështje duhej të zgjidheshin më parë.
“Pa përgjigje për këto pyetje, është e vështirë të hyhet në një armëpushim afatgjatë”, tha ai.
Putin ka deklaruar më parë, gjatë negociatave mbi propozimin amerikan, se plani duhet të përmbante klauzola që ia ndalojnë Ukrainës ta përdorë pauzën për t’u riorganizuar dhe për t’u armatosur, si dhe ndalimin e furnizimeve me armë nga Perëndimi për Kievin. Ai nuk ofroi asnjë kompromis nga ana e Rusisë në këmbim.
Kjo është hera e dytë këtë muaj që Kremlini bën thirrje për ndalim të luftimeve. Një propozim për pushimet e Pashkëve në fillim të këtij muaji u injorua gjerësisht, ndërsa Rusia dhe Ukraina vazhduan ta godasin njëra-tjetrën.
Ashtu si çdo vit gjatë presidencës së tij, Putin do të drejtojë një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq më 9 maj, për Ditën e Fitores, duke festuar rolin sovjetik në mposhtjen e Gjermanisë. Në vitet e fundit, ai ka shfrytëzuar këtë rast për të lavdëruar historinë sovjetike dhe ruse, ndërsa kritikon Perëndimin.