Krasniqi nga Haga: Nuk jam kriminel, por njeri që luftoi për liri

Ish-kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë fjalën e tij të fundit para trupit gjykues në Hagë, duke theksuar se paraburgimi i tij dhe tre ish-krerët e UÇK-së ka qenë i padrejtë.

Mes emocioneve të shumta, derisa në fyt mbante kollaren me shqiponjë, Krasniqi në fillim të fjalës së tij uroj qytetarët e Kosovës për festimin e 18 vjetorit të pavarësisë.

“Qëndroj sot para jush jo si një kriminel që e përshkruan aktakuza e prokurorisë, por si një njeri I lindur dhe I kalitur në luftëra për dinjitet njerëzor nga një popull që refuzoi të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit serb”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se pjesën më të madhe të jetës time e ka kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri.

“Pas më shumë se pesë vitesh burgim të padrejtë, dhe sipas mendimit tim të panevojshëm, angazhimin tim politik e jetësor për liri jam angazhuar që herët. Më janë mohuar të drejtat e njeriut, për këto pesë vite, e më rëndësishmja e drejta për të jetuar në liri, e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë”, tha Krasniqi.

Ish-kryeparlamentari u shpreh se sot ndodhet në vitin e tij të 16-të të burgimit vetëm se luftoi për lirinë e pavarësinë e popullit të tij.

“T’i kesh kaluar 16 nga 75 vite të jetës në burg dhe të jesh privuar nga ajri I lirisë nuk është diçka e vogël. Dalja ime publike me 11 qershor 1998 tregoi se isha kundërshtar I politikave gjenocidale të Serbisë”, tha Krasniqi.

Ai tutje shtoi se për këto virtyte u prangos më 4 nëntor 2020.

“Akuzat e prokurorisë kundër nesh dhe UÇK-së janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftëra në gjithë federatën jugosllave brenda një dekade. Nuk besoj që kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve, duhet të qëndroj mbi prova të besueshme dhe të vërtetën”, tha Krasniqi.

Krasniqi vazhdoi fjalën e tij me emocione duke shtuar se padrejtësia e këtij rasti është e shkruar në vetë aktakuzën e këtij rasti dhe se atij i atribuohen role, atuoritete e përgjegjësi që nuk i ka pasur kurrë.

“Figura e përshkruar në dokumentet e prokurorisë nuk është njeriu që sot qëndron para jush. Falënderoj dëshmitarët që erdhën dhe e thanë të vërtetën se kush isha dhe kush nuk isha. Unë nuk zotëroja pushtetin, komandën apo funksionet që më atribuohen në këtë rast. E gjithë bota e di që NATO ndërhyri kundër krimeve të kryera në Kosovë. NATO dhe bota demokratike nuk janë rreshtuar kurrë me terrorizmin apo gjenocidin”, u shpreh Krasniqi.

“Ne qëndrojmë sot këtu padrejtësisht. Ju kërkoj gjykatës të nderuar ta mbani fort në mendje atë histori sepse gjykimi pa kontekst rrezikon ta ngatërroj pasojën me shkakun, ju lutem mos e bëni atë gabim”, tha Krasniqi, duke shtuar se qëllimi ishte ta kthenin Kosovën te populli i saj e jo të zhduknin ndonjë komb.

Krasniqi tha se askund nuk do ta gjeni një nërmarrje kriminale. “Kërkoj drejtësi e cila shihet qartë”, tha në fund Krasniqi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button