KQZ: Rezultatet paraprake të zgjedhjeve do të dalin deri të martën pasdite

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pas përfundimit të procesit të votimit, u ka bërë thirrje partive politike dhe udhëheqësve të tyre të tregojnë qetësi dhe vetëpërmbajtje gjatë fazës së numërimit të votave.
Celibashi ka theksuar se deklarimet për rezultatin nga partitë politike janë të pavlefshme dhe të padobishme për procesin.
Ai ka bërë të ditur se rezultatet paraprake pritet të jenë gati jo më vonë se pasditja e ditës së martë, ndërsa për disa njësi si Njësia 10 në Tiranë dhe Bashkia Vorë, rezultatet mund të shpallen që në orët e para të mëngjesit të së hënës.
“Duhet të ketë qetësi dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët. Ne do kemi rezultatin paraprak jo më vonë se pasditja e ditës së martë. KQZ nuk do tolerojë asnjë rast apo iniciativë që shkon kundër integritetit të numërimit”, ka deklaruar ai.
Komisioneri ka konfirmuar gjithashtu se procesi i votimit ka përfunduar në të gjitha qendrat e votimit në vend, përfshirë edhe Vlorën.
Në lidhje me parregullsitë gjatë ditës së votimit, Celibashi bëri të ditur se 5 raste janë referuar si vepra penale në prokuroritë përkatëse.
Dy prej tyre kanë ndodhur në Tiranë dhe lidhen me presione ndaj komisionerëve, një rast në Elbasan për fotografim të votës dhe dy raste të tjera në Berat dhe Korçë për lejim të votimit të shumëfishtë nga ana e komisionerëve.
Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, pjesëmarrja në zgjedhjet e 2025-ës deri në orën 18:00 ka qenë 41.38%.