Kovaçevski u kërkon falje mediave: I pranoj të gjitha reagimet e SHGM-së

Lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski sërish kërkoi falje para mediave për shkak të fjalorit kërcënues dhe poshtërues ndaj tyre për çka reagoi VMRO DPMNE-ja opozitare dhe Shoqata e Gazetarëve.
“I pranoj të gjitha reagimet e SHGM-së dhe institucioneve të tjera dhe në vetë ngjarjen kam thënë se jam gati të kërkoj falje menjëherë, kërkova falje në vetë ngjarjen dhe ja ku kërkoj falje edhe sot. Me kryetarin e SHGM-së kam pasur një bisedë të gjatë në disa raste sepse ai është dëshmitari më i mirë i asaj që ka ndodhur deri në vitin 2016. E thashë që deri në vitin 2016 po ndodhte dhe nuk do të doja të shihja një kohë kur do të përsëritej kjo gjë. Nëse e shikoni të gjithë deklaratën, atëherë është shumë e qartë se çfarë kam thënë”, u përgjigj Kovaçevski.
Në tribunën e partisë më 19 shkurt, Kovaçevski ndër të tjera tha:
“Epo, kështu është kur media vihet në funksion të një partie politike. Dhe pastaj do të vijnë në vete, por është shumë vonë… Dhe ku do të vrapojnë? Në LSDM. Pse? Për të rivendosur demokracinë e tyre. Ndërsa ata e shitën veten”.
Shoqata e Gazetarëve kishte reaguar dje ndaj kësaj dhe deklaratave të tjera të politikanëve kundër mediave pasi kështu siç kanë thënë, hapin rrugën për dhunë dhe urrejtje ndaj punonjësve mediatik.



