Kosovë, Lista Serbe ruan dominimin, por ka rënie në mbështetje krahasuar me vitin 2021

Lista Serbe ka ruajtur dominimin në komunat me shumicë serbe, por rezultatet e zgjedhjeve të së dielës treguan rënie të ndjeshme të mbështetjes krahasuar me vitin 2021. Megjithëse mbetet forca kryesore politike te serbët e Kosovës, njohësit thonë se në këtë rezultat ka ndikuar rënia e besimit në këtë parti si dhe dalja e alternativa tjera.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit Lista Serbe doli subjekti kryesor në komunat me shumicë serbe në Kosovë, por rezultatet tregojnë se pushteti i saj dominues është zbehur. Në shumë komuna u regjistrua rënie e mbështetjes krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

Në komunat veriore si Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, ku më parë Lista Serbe mbante dominim absolut, ka diferencë në përqindje. Në Mitrovicën e Veriut partia që mbështetet nga Beogradi zyrtar mori 60 për qind të votave, krahasuar me afër 91 për qind në vitin 2021.

Në Leposaviq mbështetja ra nga rreth 97 për qind katër vjet më parë, në rreth 70 për qind në 2025.
Në Zveçan, nga 98 për qind në 2021 u ul në 86 për qind.

Ndërkaq, në Zubin-Potok ulja është më e butë – nga 83 për qind sa ishte katër vjet më parë, ra në rreth 70 për qind në zgjedhjet e së dielës.

Edhe në komunat me shumicë serbe në jug – Graçanicë, Ranillug, Novobërdë, Partesh, ka lëvizje të trendit. Në Graçanicë, Lista Serbe mori vetëm 62 për qind të votave, ndërsa katër vjet më parë kishte 77 për qind.

Zëvendëskryesuesi i Asamblesë Komunale në Mitrovicën e Veriut, Skender Sadiku thotë se alternativat e tjera ndikuan në uljen e mbështetjes për Listën Serbe.

“Nuk është vetëm Lista Serbe tash dhe të tjerët nuk janë të barrikaduar në një subjekt që është mirë dhe e shëndetshme për demokracinë. Mirëpo frytet e demokracisë do të vijnë më vonë, shpresoj që më së paku në zgjedhjet e ardhshme lokale do të ketë një ndryshim drastik edhe te komuniteti serb”, tha Sadiku.

Sa i përket përfaqësimit që shqiptarët do ta kenë në kuvendet komunale në veri, Sadiku, thotë se nuk do të jenë shumë.

“Mitrovica e Veriut do t’i ketë pesëmbëdhjetë asamblista kurse duhet pritur derisa nuk përfundojnë të gjitha numërimet në nivel lokal, por fatkeqësisht, janë rezultate jo të kënaqshme për komunitetet tjera, posaçërisht edhe për komunitetin shqiptar….Për momentin ndoshta do të kalon vetëm një nga komuniteti shqiptar, ose po shpresojmë që maksimumi do të jenë tre”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i pari që shpalli fitoren e Listës Serbe në nëntë komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Me urdhër të Beogradit zyrtar në nëntor të 2022-s, Lista Serbe ishte larguar nga institucionet e Kosovës, duke bërë që për gati një mandat të plotë komunat në veri të udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë. /KTV/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button