Kosovë, krerët e shtetit bënë homazhe në 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Masakrës së Reçakut, në 27-vjetorin e masakrës, transmeton Anadolu.

Presidentja Osmani tha se dhimbja e Reçakut nuk vjen vetëm nga ajo që ndodhi 27 vjet më parë, por edhe nga mungesa e drejtësisë dhe përpjekjet për ta relativizuar, mohuar apo deformuar të vërtetën nga Serbia.

“Reçaku nuk është vetëm një emër në historinë e Republikës sonë, por u bë pikë kthese. Kthesë që e qartësoi para botës realitetin e hidhur të regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë. Më 15 janar 1999, Reçaku u bë simbol i vuajtjes së një populli që kërkonte liri, por edhe simbol i guximit. Guximit për ta quajtur krimin me emrin e vërtetë. Këtë guxim e dëshmoi ai që edhe sot mbetet simbol i së vërtetës, ambasadori William Walker”, tha Osmani.

Kryeministri në detyrë Kurti në një deklarim për mediat pas homazheve, tha se ndodhet në Reçak bashkë me udhëheqës të institucioneve tjera për të shprehur dhimbjen për “këtë plagë të hapur”.

“Jemi këtu bashkë si krerë të institucioneve edhe me Kryetarin e Komunës, edhe me kolegë nga Qeveria e Parlamenti, por edhe me zyrtarë të tjerë të shtetit, që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë, që gjithmonë do të jemi të angazhuar për të sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve”, u shpreh kryeministri.

Ai kujtoi se ishte ambasadori William Walker, ai, përmes së cilit jehoi e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të Serbisë si shtet ndaj popullit shqiptar në Kosovë.

“Lavdi 45 martirëve të Reçakut dhe 11 dëshmorëve të kombit, të udhëhequr nga Komandanti Ahmet Kaçiku”, tha në fund kryeministri Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha tha se masakra në Reçak e nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Serbisë.

Më 15 janar të vitit 1999 në Reçak të Komunës së Shtimës, forcat serbe vranë mbi 40 civilë, burra, gra, fëmijë dhe pleq. Masakrës i dha zë në botë ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, i cili e cilësoi për herë të parë këtë masakër si “krim kundër njerëzimit”.

Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve, ku NATO vendosi të sulmojë caqet ushtarake e policore serbe.

Prokuroria Speciale në fund të vitit 2025 ngriti aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave që dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Reçak, të cilët akuzohen për vrasjen e 45 civilëve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button