Kosovë, KFOR-i shënon shtimin e trupave nga Belgjika, Luksemburgu dhe Holanda

Me një ceremoni të ngritjes së flamurit në shtabin qendror “Camp Film City” të KFOR-it, në Prishtinë, u mirëprit shtimi i trupave nga tri shtete të reja: Belgjika, Luksemburgu dhe Holanda si vende kontribuese në Misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR).

Nëpërmjet një njoftimi për media, KFOR-i bëri të ditur se, që nga fillimi i vitit 2024 pesë aleatë evropianë kanë filluar të kontribuojnë në misionin e NATO-s në Kosovë, përpos tri vendeve të lartcekura, edhe Franca dhe Portugalia.

Këtë ceremoni e kryesoi komandant i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, i cili tha se tani KFOR-i numëron 32 shtete që kontribuojnë me trupa ushtarake.

Barduani shprehu vlerësimin e tij për ardhjen e personelit të ri dhe nënvizoi se rritja e mëtejshme e KFOR-it dëshmon përkushtimin kolektiv dhe të palëkundur për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetin rajonal, duke përfshirë mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

KFOR-i vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për ta garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button