Kosova: Serbia nuk po jep informacione për shtetasin e arrestuar kosovar

19 minuta më parë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar se autoritetet serbe nuk i kanë dhënë informacione lidhur me shtetasin e Kosovës të arrestuar në Serbi.

Sipas informacioneve që ministria ka dhënë, Lulzim Halili, është ndaluar nga autoritetet serbe në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra nga Beogradi dhe është dërguar menjëherë në mbajtje në Stacionin Policor të këtij qyteti.

Ministria ka theksuar se Zyra Ndërlidhëse ka tentuar ta konfirmojë arrestimin përmes kontaktit me Stacionin Policor në Svilajnac rreth orës 23:00 mbrëmjen e 22 korrikut, por zyrtari policor kujdestar ka refuzuar të ofrojë detaje mbi rastin.

“Sot, më 23 korrik 2025, Zyra Ndërlidhëse i ka adresuar një kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe me njoftim paralel për Delegacionin e Bashkimit Evropian (BE) në Serbi, për ta konfirmuar zyrtarisht arrestimin dhe për të marrë informata shtesë lidhur me rastin. Deri më tani, nuk kemi pranuar përgjigje nga pala serbe”, thuhet në njoftimin e ministrisë kosovare.

Zyra Ndërlidhëse ka njoftuar për këtë rast misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, si dhe Delegacionin e BE-së.

Ministria ka njoftuar se sapo të konfirmohet nëse Halili do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit dhe do të iniciohet procedurë penale ndaj tij, Zyra Ndërlidhëse do të parashtrojë kërkesë zyrtare për vizitë në Qendrën e Mbajtjes.

Ministria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë, për shkak të rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime nga autoritetet serbe.

Pavarësisht raportimeve nga mediat serbe se shtetasi kosovar i arrestuar më 22 korrik në Serbi është ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sot gjatë ditës Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së tha se emri i Lulzim Halilit nuk është gjetur në arkivat e veteranëve të luftës dhe as në listat e disa brigadave të UÇK-së.

Arrestimi i shtetasit kosovar në Serbi erdhi vetëm pak ditë pas arrestimit dhe paraburgimit të ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, nga autoritetet kosovare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button