Kosova në zgjedhje, presidentja Osmani shpërndan Kuvendin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se sot ka nxjerr dekretin që të shpërndajë Kuvendin e Kosovës dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
Sipas saj, nëpërmjet këtij dekreti po kryen detyrimin e saj që është përcaktuar me Kushtetutë.
“Jam këtu përpara jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës së Kosovës.
Andaj sot në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës kam nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit”, tha presidentja.
“Kushtetuta nuk tekst ceremonial, është kontrata jonë e përbashkët si shtet, është kufiri që politika nuk mund të kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund të humbasin.
Mbrëmë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të ri dështuan. Ky dështim nuk ishte as rastësor, as i pamenduar. Por, përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar, për fat të keq”, tha ajo.Sipas saj, neni 86 i Kushtetutës duhet të zgjidhjet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual.
“Mandati im përfundon më 4 prill 2026. Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat politik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues”, tha e para e shtetit.
Tutje, Osmani tha se asnjë kërkesë për masë të përkohshme në Gjykatën Kushtetuese nuk e pezullon automatikisht rrjedhjen e afatit kushtetues.
“Vetëm një vendim i gjykatës mund ta bënte një gjë të tillë. Dhe një vendim i gjykatës nuk ekziston deri në këto momente. Prandaj, sot nuk kemi një situatë të hapur interpretimi, kemi një situatë ku afati kushtetues tashmë ka përfunduar”, tha ajo.
Osmani tha se në përputhje me nenin 82 dhe 86 të Kushtetutës ka vendosur të shpërndajë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të shpallë zgjedhje të reja pas konsultimeve që do t’i ketë partitë politike
“Natyrisht që qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje. Këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën e tyre kushtetuese. Askush nuk do të duhej të dëshironte një tjetër cikël politik, sidomos në këtë moment që vendi ka nevojë për stabilitetit. Por, këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshme e me qëllime të rrezikshme”, tha ajo.
Sipas saj, në kohë të pasigurish të mëdha në rajon e botë, Kosova nuk mund të përballojë luksin e zvarritjeve të pafunda dhe të legjitimitetit të kontestuar.
“Një shtet nuk dobësohet vetëm nga kriza të jashtme. Shpesh dobësohet nga momentet kur institucionet abuzohen për kalkulime të ulëta e në kundërshtim me Kushtetutën”, tha ajo.
E para e shtetit foli edhe lidhur me amendamentet për zgjedhjen e presidentit direkt nga qytetarët.
Osmani bëri të ditur se edhe nëse do të miratoheshin këto amendamente, do të vlenin për zgjedhjen e presidentit pas pesë viteve. “Mundësia për zgjedhjen e drejtpërdrejt të presidentit nga populli do të krijohej pas pesë vitesh”, tha ajo.
Presidentja u shpreh se qytetarët kanë nevojë për një politikë që nuk frikësohet nga përgjegjësia.
“Jam plotësisht e vetëdijshme dhe e gatshme që ky dekret mund të kontestohet në Gjykatë Kushtetuese. Dua të them hapur, kurrë nuk kam qenë më krenare sesa me këtë vendim. Jam shumë më e qetë të përballem me një kontestim për veprim në mbrojtje të Kushtetutës, sesa për mosveprim kur rrezikohen themelet e saj”, tha ajo.
Osmani në fund të konferencës pati e dhe një thirrje për Gjykatën Kushtetuese.
“Në fund i bëj thirrje Gjykatës Kushtetueses që ta trajtojë çdo çështje që ka të bëjë, që mund të paraqitet në të ardhmen rreth kësaj teme me urgjencë, duke e ditur se sa janë të rëndësishme qartësitë kushtetuese, duke mos lejuar assesi që qëllimet për zvarritje të dominojnë mbi interesin e Republikës së Kosovës dhe në asnjë moment të mos lejojnë asnjë presion i cili do të mund të ndryshonte interpretimin vetëm e vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Si presidente e Republikës së Kosovës, si në të kaluarën, në asnjë moment as nuk kam ndërhyrë as nuk do të ndërhyjë dhe do ta mbrojë çdo institucion të pavarur nga ndërhyrjet që mund të tentohen për të ndryshuar një vendim që interpreton Kushtetutën e Kosovës.
Pra, siç e thash edhe nëse dikush e dërgon këtë dekret në Kushtetuese unë do të përballem qartë në mbrojtje të këtij akti, të këtij dekreti.
Mos nxjerrja e këtij dekreti mua do të më vendoste në shkelje të qartë të Kushtetutës së Kosovës dhe këtë nuk e kam ndërmend të bëj”, tha ajo. /Telegrafi/



