Kos: Rruga e Serbisë drejt BE-së do të jetë e vështirë, nëse Vuçiq viziton Moskën

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka paralajmëruar të mërkurën se Serbia do ta ketë të vështirë të mbetet në binarë drejt anëtarësimit në BE, nëse presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, e viziton Moskën javën e ardhshme.
Kos tha se, megjithatë, i takon Vuçiqit të vendosë nëse dëshiron të shkojë apo jo në Rusi.
Vuçiq ka thënë se do të marrë pjesë në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj dhe se do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Moskë, për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini.
“Nëntë maji 1945 dhe 9 maji 2025 janë dy data me vlera të ndryshme. Të shkosh në Moskë dhe të festosh me Putinin, ose ushtrinë e tij që po vret njerëz në Ukrainë, është në kundërshtim të plotë me vlerat evropiane dhe në kundërshtim të madh me vendimin e Këshillit të BE-së, i cili vendosi në vitin 2022 që shtetet anëtare nuk duhet të ndërmarrin asnjë hap që mund t’i japë legjitimitet Putinit dhe Rusisë”, tha Kos, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga Radio Evropa e Lirë në një konferencë për shtyp në Beograd.