Kos: Në qershor hapen të gjithë kapitujt e negociatave me Shqipërinë

Komisioni Evropian do të hapë në muajin qershor të gjithë kapitujt e negociatave me Shqipërinë.
Lajmi u dha nga Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, në konferencën e Qendrës për Studime Evropiane në Bruksel.
“Sigurisht, brenda mandatit tim si Komisionere për zgjerimin do të kemi anëtarësime të reja në BE nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Me Edi Ramën ne kemi një marrëveshje. Unë gjithmonë insistoj që ky proces të jetë i bazuar në merita, por ne kemi rënë në ujdi për ta realizuar atë martesë të Shqipërisë me Evropën më në fund”.
“Na duhet që të hapim një grup tjetër kapitujsh me Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë në qershor dhe me këtë do të kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave. Më pas do të fillojë mbyllja e kapitujve, që është gjithashtu një proces shumë i rëndësishëm”, tha komisionerja Marta Kos, shkruan TVKLAN.
Kos tha se e veçonte Shqipërinë pasi, sipas saj, atje po bëhet një punë e jashtëzakonshme me reformat e integrimit nga qytetarët dhe politikanët.