Kos: Kandidatët për anëtarësim në BE duhet të zgjedhin anën në përplasjen globale

Vendet që presin të anëtarësohen në Bashkimin Evropian (BE) do të duhet të përcaktohen qartë se në cilën anë qëndrojnë në përplasjen globale përpara se të bëhen pjesë e bllokut, deklaroi për Euronews komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, pas prezantimit të raportit vjetor mbi përparimin e vendeve kandidate.

Sipas saj, procesi i zgjerimit të BE-së nuk është më vetëm një çështje teknike, por një zgjedhje strategjike.

“Evropa mund të jetë e bashkuar nën një çati, por kjo do të thotë edhe të bësh një zgjedhje. Nëse dikush afrohet me Rusinë ose refuzon të zbatojë sanksione, kjo është e papranueshme,” tha ajo.

Brukseli këmbëngul që vendet e reja anëtare të ndajnë vlerat dhe qëndrimet e përbashkëta të Unionit për të shmangur përsëritjen e “skenarit hungarez”, në të cilin Viktor Orbán shpesh bllokon vendimet evropiane me veto.

E pyetur nëse vendet e reja mund të kalojnë një “periudhë prove” me të drejta të kufizuara, Kos e hodhi poshtë idenë: “Kategorikisht jo. Në BE nuk ka vend për anëtarë të dorës së dytë.”

Ajo i bëri thirrje vendeve anëtare të tregojnë vullnet politik dhe të kapërcejnë bllokimin nga Hungaria, vetoja e së cilës ka ngrirë negociatat me Ukrainën dhe ka ngadalësuar përparimin e Moldavisë drejt BE-së.

Sipas raportit të Komisionit Evropian, Mali i Zi është më i përgatituri për anëtarësim, i ndjekur nga Shqipëria. Moldavia vlerësohet për reformat e saj, ndërsa për Ukrainën, Brukseli shënon “përparim të rëndësishëm pavarësisht luftës”, por thekson se lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë.

Për Serbinë, vlerësimi është i zymtë – regres në pavarësinë e gjyqësorit dhe përdorim i tepruar i forcës kundër protestuesve. “Gjyqësori mbetet nën ndikimin e drejtpërdrejtë të presidentit Vuçiç. Liria e mediave dhe e protestës po kufizohen,” vuri në dukje Kos.

Megjithatë, ajo theksoi se BE do ta vazhdojë dialogun me Beogradin, sepse “dëshiron një Serbi demokratike në Evropë.”

Gjeorgjia mori kritikat më të ashpra. Komisioni e përkufizon atë si “kandidate vetëm në emër” pas zgjedhjeve të tensionuara të vitit 2024 dhe akuzave kundër partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane për minimin e demokracisë. “Vendi po përjeton një prapambetje serioze – shkatërrim të shtetit të së drejtës dhe kufizim të lirive themelore,” thuhet në raport.

Zgjerimi i BE-së, tashmë, nuk është vetëm çështje kriteresh dhe reformash, por edhe zgjedhje gjeopolitike – nëse vendet kandidate do të jenë pjesë e një Evrope të bashkuar dhe demokratike, apo do të mbeten në zonën gri mes Lindjes dhe Perëndimit, përmbylli Kos.

Ndërkohë, raportuesi i Parlamentit Evropian për Turqinë, Nacho Sánchez Amor, deklaroi se vendi po përjeton një “krizë të thellë të demokracisë”. Sipas tij, Turqia po përballet me regres serioz në sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe pluralizmin politik, ndërsa procesi i anëtarësimit në BE është “plotësisht i ngrirë”.

Amor përmendi arrestimin e kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, presionin ndaj opozitës dhe biznesit, si dhe kontrollin shtetëror mbi mediat. Sipas tij, “kjo është një formë e modelit rus të qeverisjes.”

Deputeti evropian theksoi se, në kushtet aktuale, Turqia nuk mund të konsiderohet më si shtet që drejtohet nga sundimi i ligjit, ndërsa BE nuk e sheh më si kandidate për anëtarësim, por vetëm si një partnere strategjike.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button